|
Shtatorja në qendër të qytetit |
|
Saturday, 01 April 2006 |
Mbyllet debati. Këshilltarët, kritika Komisionit të Urbanisatikës
|
| |
Bashkia: Të ndërtohet busti i Nënë Terezës
|
Partitë: Shtatorja në qendër të qytetit
|
| |
|
|
Brikena Shllaku
SHKODER
Si rrallëherë dje anëtarët e Këshillit Bashkiak të Shkodrës nuk kanë debatuar për çështjen e cila prej më shumë se dy javësh ka zënë faqet e parë të mediave në Shqipëri. Të djathtë dhe të majtë kanë votuar në mënyrë unanime për vendosjen e bustit të Nënë Terezës në kryeqendrën e veriut. Asnjë kontestim për shenjtoren, emri dhe veprimtaria e së cilës nderohet në mbarë botën. Ky votim ka lënë pas divergjencat mes tyre për probleme të ndryshme dhe i ka bashkuar, duke dalë me vendim të përbashkët. Ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë, përfaqësues së Komisionit së Urbanistikës pranë Bashkisë së qytetit verior ka sjellë dy propozimet për vendosjesn e shtatores së gruas që ndihmoi miliona njerëz në nevojë në gjithë globin. Propozimi i parë parashikonte vendosjen e bustit në hyrje të qytetit të Shkodrës (lagjia “Xhabiaj”), kurse i dyti në qendër të këtij qyteti, afër ndërtesës së Albtelekom. Ndërkohë, këshilltarët që përfaqësojnë forca të ndryshme politike kanë hedhur në votë propozimin e dytë. Të gjithë anëtarët e këtij këshilli kanë dhënë OK e tyre për vendosjen e bustit në qendër të qytetit. Sipas tyre, Nënë Tereza është një figurë që i kapërcen kufijtë e fesë dhe se nderon shkodranët e jo vetëm ata, aq më shumë që tani kemi më tepër nevojë për harmoni dhe paqe. Ky votim i ka dhënë fund diskutimeve të pafund që u bënë përgjatë këtyre ditëve, në të cilin u përfshinë dhe krerët më të lartë të instancave shtetërore si dhe drejtuesit e komunitetit musliman në vendin tonë. Gjatë mbledhjes është diskutuar vetëm në lidhje me dy propozimet e bëra për vendin ku do të vendosej shtatorja. Disa këshilltarë i kanë tërhequr vëmendjen Komisionit të Urbanistikës për propozimet e bëra prej saj. Këshilltari Zef Çuni është shprehur se Urbanistika ka sjellë një material të varfër. Anëtarë të tjerë të Këshillit Bashkiak kanë pohuar se Komisioni i Urbanistikës, një muaj më parë ka dhënë si alternativë vendosjes e bustit në hyrje të qytetit, ndërsa ishte e domosdoshme caktimi i disa shesheve alternative. Vetëm dy javë më parë tre shoqata muslimane në Shkodër, ishin të parat që kërkuan që Këshilli Bashkiak i Shkodrës të mos votonte pro vendosjes së shtatores së Nënë Terezës.
|
|