Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, të cilët ndodhen në Romë për të marrë pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane, u takuan dje, në hotel “Hilton Kavalieri”, me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Franco Frattini. Në këtë takim, kryeministri Berisha dhe znj.Topalli e njohën z.Frattini me përpjekjet e qeverisë në rrugën e reformave për rivendosjen e shtetit ligjor, në luftën me tolerancë “zero” kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për reformat institucionale në vend. Zv/presidenti i Komisionit Europian, z.Frattini, përgëzoi qeverinë shqiptare për përpjekjet serioze dhe rezultatet konkrete në rivendosjen e shtetit ligjor dhe çmontimin e organizatave kriminale. Z.Frattini theksoi se për Komisionin Europian dhe për hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë, është jetik suksesi i nismave të qeverisë në këto drejtime të përmendura dhe shkëputja përfundimtare e lidhjeve të krimit të organizuar, me politikën dhe institucionet shtetërore. Progresi i Shqipërisë në drejtim të integrimit, do të përcaktohet nga suksesi i reformave, theksoi z.Frattini. Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit znj.Topalli, kanë patur një takim miqësor dhe me presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z.Van der Linden, gjatë të cilit biseduan për bashkëpunimin dypalësh mes Shqipërisë dhe Këshillit të Europës. Takimi u zhvillua në një frymë të plotë mirëkuptimi.Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, morën pjesë, dje pasdite, në Samitin e Partive Popullore Europiane që zhvillohet në Romë. Në këtë samit ishin të pranishëm kryetarë shtetesh e qeverish dhe kryetarë të partive simotra të Qendrës së Djathtë, nga e gjithë Europa. Kryeministri italian Silvio Berluskoni shtroi një darkë, në nder të delegacioneve pjesëmarrëse në samit. Gjithashtu, gjatë pasdites së djeshme, kryeministri Berisha dhe znj. Topalli zhvilluan takime dypalëshe me personalitete të larta, pjesëmarrëse në samit. |