|
Thursday, 30 March 2006 |
 Këshilltarët e PD-së, pro vendosjes së “Nënë Terezës”
Këshilltarët e PD-së, pro vendosjes së “Nënë Terezës” 30 Mars Në 31 mars, vendimi këshillit bashkiak Grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD-së mbështesin vendimin për vendosjen e bustit të Nënë Terezës në hyrje të qytetit. Nëpërmjet drejtuesit të këtij grupi, Shyqyri Selhani, këshilltarët kanë paraqitur qëdrimin e tij në një konferencë për shtyp, lidhur me vendvendosjen e bustit të Nënë Terezës në Shkodër. Gjatë konferencës për shtyp, Selhani bëri të ditur se grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD-së, në mënyrë unanime, është pro vendimit për vendosjen e bustit të Nënë Terezës në qytetin e Shkodrës. ”Jo vetëm këshilltarët demokratë, por dhe ata aleatë, u shpreh Selhani, janë dakord dhe mbështesin vendosjen e bustit të Nënë Terezës në Shkodër, pasi, kjo figurë madhore nderon të gjithë kombin shqiptar”. Duke hedhur poshtë keqtrajtimin që iu bë këtij problemi në disa media, Selhani vuri në dukje se grupi i këshilltarëve demokratë është i mendimit se shpreh dhe opinionin e përgjithshëm të qytetarëve shkodranë, pasi deri tani asnjë individ, asnjë drejtues institucionesh apo shoqatash, nuk është shprehur kundër vendosjes së bustit të Nënë Terezës në qytetin e Shkodrës. Data 31 mars do të jetë dhe dita e miratimit të vendit të vendosjes së bustit të Nënë Terezës. Deri tani janë propozuar dy vende për vendosjen e bustit në fjalë. Fillimisht u propozua hyrja e qytetit të Shkodrës dhe më pas qendra e qytetit, pranë Telekomit, përballë xhamisë së madhe të qytetit. Ndërkohë, Selhani sqaron gjithashtu, se ditën e votimit në këshillin bashkiak të Shkodrës nuk përjashtohet mundësia e daljes së propozimeve të tjera nga këshilltarët për ndonjë vend tjetër ku mund të vendoset busti i Nënë Terezës. |