|
Asnjė prishje nė Velipojė |
|
Thursday, 30 March 2006 |
|
Deputeti: Asnjë prishje në Velipojë pa bërë plan
Ministri i MTKRS-së, Leskaj: Ky plazh, prioritet i qeverisë Deputeti: Asnjë prishje në Velipojë pa bërë plan Brikena Shllaku SHKODER Ndërtimet pa leje në plazhin e Velipojës nuk do të prishen pa hartuar më parë një plan të detajuar urbanistik. Fadromat do të mbërrijnë në bregdet vetëm pasi specialistët përkatës do të thonë fjalën e tyre për perspektivën afatgjatë të kësaj zone turistike në Shkodër. Të paktën kështu ka deklaruar dy ditë më parë deputeti socialist i zonës Tom Doshi. Lajmi është bërë publik gjatë një vizite pune që ka bërë ministri i Kulturës Bujar Leskaj në Velipojë, i cili shoqërohej nga kreu i Partisë Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Pasi ka inspektuar gjithë zonën, Leskaj është shprehur se plazhi i Velipojës duhet të kthehet në një plazh elitar. Sipas tij, në Velipojë ka shumë zona të virgjëra, të padëmtuara, të cilat mund të shërbejnë për zhvillimin e një turizmi elitar. “Plazhi i Velipojës do të jetë në vëmendjen tonë dhe do të shikohet me prioritet nga qeveria. Do të kontaktojmë me pushtetin vendor, pasi është e domosdoshme hartimi i një plani urbanistik për zonën”, ka pohuar numri një i ministrisë së Kulturës. Ndërkohë, gjatë këtij takimi, deputeti Doshi është shprehur se në fillim të sezonit turistik do të përfundojë rikonstruksioni i rrugës Shkodër-Velipojë. “Jam takuar me ministrin e Transporteve Lulëzim Basha dhe më ka premtuar se shumë shpejt do të lëvrohet fondi për të përfunduar pjesën e mbetur të aksit rrugor që lidh Velipojën me qytetin e Shkodrës”, ka thënë Tom Doshi. Nga ana e tij kryetari i komunës Dedë Kaça ka kërkuar që qeveria të japë investime për rehabilitimin e qendrës së komunës së Velipojës. Gjithashtu ai ka kërkuar që të hartohet një projekt perspektive për këtë plazh. Pas vizitës në Velipojë, ministri i Kulturës, Leskaj, kryetari i LSI-së dhe Ilir Meta kanë shkuar tek kisha e Shirqit në Dajç. Ata kanë parë nga afër gjendjen e këtij monumenti kulture. |