|
Kryetari i komunitetit Mysliman kundėrshton deklaratat e shoqatave myslimane nė Shkodėr |
|
Tuesday, 21 March 2006 |
|
Kryetari i komunitetit Mysliman kundërshton deklaratat e shoqatave myslimane në Shkodër

Kryetari i komunitetit Mysliman kundërshton deklaratat e shoqatave myslimane në Shkodër Muça: Për Nënë Terezën, s’kemi të njëjtin qëndrim me Shkodrën
Lindita Çela
 Deklaratat e përfaqësuesve të shoqatave myslimane në Shkodër nuk shprehin mendimin zyrtar të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kështu tha dje kryetari i tij, Selim Muça, pas deklaratës së disa shoqatave myslimane në qytetin e Shkodrës të cilat protestonin kundër vendosjes në hyrje të qytetit të një busti të Nënë Terezës. Duke kundërshtuar këtë deklaratë, Muça tha dje se është kompetencë e pushtetit lokal për të vendosur mbi sheshet e busteve. Ndërkohë ai vlerëson figurën e Nënë Terezës si një personalitet ndërkombëtar që i kushtoi gjithë jetën njerëzve në nevojë. *** Kryetari i Komunitetit Mysliam nuk preferon të komentojë gjatë reagimin e shoqatave në Shkodër të cilat kanë kundërshtuar propozimin e ministrit të Kulturës, Bujar Leskaj, për vendosjen e përmendores së Nënë Terezës në hyrje të qytetit. Muça është mjaftuar duke thënë se qëndrimi i tyre nuk përputhet me qëndrimin zyrtar të Komunitetit Mysliman. Megjithëse është distancuar nga deklaratat e shoqatave myslimane të Shkodrës, kreu i Komunitetit Mysliman nuk ka shprehur një qëndrim të saktë të institucionit që drejton mbi propozimin e Bashkisë së Shkodrës për të vendosur në hyrje të qytetit bustin e Nënë Terezës. Madje gjatë një prononcimi për shtyp, Selim Muça, është treguar krejtësisht i paqartë mbi këtë çështje. Me pak fjalë, ai as kundërshton propozim e bashkisë së Shkodrës, por as jep ndonjë qëndrim zyrtar të Komunitetit mbi vendosjen e bustit të Nënë Terezës në hyrje të qytetit të Shkodrës. “Vendosja e busteve është kompetencë e pushtetit lokal, por ne si Komunitet Mysliman sugjerojmë që nismat kulturore në shërbim të qytetarëve t’u shërbejnë vërtet atyre dhe nga ana tjetër të mos bëhen shkak për polemika mes komuniteteve që karakterizohen nga fryma e tolerancës dhe mirëkuptimit mes tyre.”. Është ky komenti i vetëm që ka bërë dje kryetari i Komunitetit Mysliman pas vendimit të Bashkisë së Shkodrës për vendosjen e bustit në hyrje të qytetit. Ai ka kërkuar që media të tregohet më e matur dhe të mos bëhet nxitëse e konflikteve ndërfetare në vend. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, nuk pati ndonjë reagim të ri mbi deklaratat e shoqatave myslimane dhe as për vendosjen e bustit të shenjtores së njohur as nga Myftinia e Shkodrës. Kjo e fundit ka vendosur të japë një qëndrim vetëm pasi të konsultohet me teologë të çështjeve fetare, reagim thuajse i njëjtë me atë të kryesisë së Komunitetit Musliman.
|