|
20 subjekte tė biznesit tė madh janė dėrguar pėr ndjekje penale |
|
Monday, 20 March 2006 |
|
20 subjekte të biznesit të madh janë dërguar për ndjekje penale
Ndjekje penale 40 bizneseve për faturat e energjisë
Anila Dushi
 “20 subjekte të biznesit të madh janë dërguar për ndjekje penale, kurse dosjet për 20 subjekte të tjera debitore do të dorëzohen të hënën në gjykatë. Kemi larguar nga puna një punonjës dhe kemi paralajmëruar 4 të tjerë”,-deklaroi dy ditë më parë drejtori rajonal i KESH-it në Shkodër, Nesti Kiri, në një takim ku mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Andi Beli. Ky i fundit bisedoi me drejtues të lartë të pushtetit vendor në Shkodër, drejtuesit lokalë rajonalë të KESH-it dhe drejtues të strukturave të tjera në këtë qark për të gjetur një zgjidhje për nivelin e ulët të arkëtimeve të energjisë elektrike të faturuar. Rritja e humbjeve në rrjet dhe indiferentizmi i shkodranëve në pagesën e energjisë elektrike të konsumuar kanë qenë dhe shkaqet që sollën Belin në Shkodër. Prefekti Gjovalin Kolombi tha se situata duhet të ndryshojë brenda muajit mars. “Duhet të mos ketë asnjë tolerim për bizneset që nuk e paguajnë energjinë elektrike si dhe duhet të ndëshkohen punonjësit e KESH-it që abuzojnë me detyrën”,-tha ai. Drejtori i përgjithshëm, Andi Beli, tërhoqi vëmendjen për nivelin e ulët të pagesës së energjisë elektrike të faturuar në Shkodër, “e cila nuk arrin as 60%, ndërsa humbjet janë të mëdha dhe janë rritur, duke shkuar në 40%. Megjithëse investimet janë të mëdha dhe vazhdojnë të bëhen, puna e bërë në lidhje me rritjen e pagesës ka qenë e pamjaftueshme, ndaj po zhvillojmë mbledhje në çdo prefekturë. Është i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit që ekziston për mospagesën e energjisë elektrike.Duhet kuptuar se energjia elektrike është një pasuri kombëtare dhe kjo u pa në muajt tetor e nëntor të vitit të kaluar, kur pati krizë energjitike. Është e pafalshme që bizneset të mos e pagujanë atë”,-tha ai . Në Shkodër, sipas KESH-it, mungojnë rreth 10.000 matësa elektrikë. |