Pas ndërhyrjes së deputetit të zonës, Gilman Bakalli, në Shkodër mbërrijnë zv.ministri i Financave dhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, për t’u njohur më konkretisht me problemin e tregtarëve të Zdrales. Shkak i mbërritjes së tyre në Shkodër ka qenë protesta pas vendimit të degës lokale të tatimeve, që këta tregtarë të regjistrohen si të gjithë bizneset e vogla. Megjithatë në fund të takimit, gjithçka ka ngelur e hapur si më parë. Për rreth një orë, përfaqësuesit e qeverisë kanë kontaktuar me tregtarët dhe kanë parë nga afër kushtet e shitjes së mallrave në këtë treg, si dhe janë njohur me kërkesat e tyre. Ka qenë vetë drejtori i Tatimeve, Alfred Prifti, i cili është shprehur se “problemi ka filluar mbi bazën e kërkesës për të zbatuar një ligj dhe jo një vendim qeverie. Por ndërkohë tregtarët këmbëngulin se ky treg është i përkohshëm dhe si i tillë, ata nuk mund të përfshihen nga ky ligj. Kjo do të thotë se shuma që mund të paguajnë do të ishte më e lartë se në rastin kur ata mund të trajtohen në ndonjë kategori tjetër. “Ndaj dhe ne për këtë kemi ardhur, për të parë mundësitë e një zgjidhjeje që edhe tregtarët të paguajnë diçka, por edhe ne të mos i penalizojmë. Momentalisht nuk mund të japim një përgjigje përfundimtare, pa marrë edhe një deklarim nga Bashkia e Shkodrës në lidhje me aktivitetin e tregtarëve”. Sipas Priftit, vetëm më pas problemi i tyre do t’i nënshtrohet një diskutimi, që do të bëhet me grupet e punës në Tiranë. Ndërsa tregtarët nga ana e tyre thonë se duhet të trajtohen si tregtarë ambulantë. Kjo sipas tyre, për faktin se koha që ato punojnë është e reduktuar dhe jetëgjatësia e këtij tregu nuk është e garantuar. Një pretendim i tillë nga tregtarët ngrihet për faktin se, edhe pse ata njohin bashkinë si pronare të truallit, nesër mund të dalë një pronar tjetër, me të cilin mund të mos gjejnë asnjë gjuhë të përbashkët. Me këtë argument tregtarët thonë se aktiviteti i tyre është i përkohshëm dhe jo i përhershëm. “Ne jemi dakord që të paguajmë diçka, por ama nuk pranojmë që të paguajmë sigurimet shoqërore, si dhe Dhomën e Tregtisë. Kjo pasi, për ne 300 tregtarët që punojmë në këtë treg asnjërit prej nesh nuk mund t’i vijë në ndihmë Dhoma e Tregëtisë”, thonë tregtarët. Ndaj dhe pagesa të tilla, sipas tyre, mund të ishin vërtet rrënuese për ekonominë dhe hallet e shumta që kanë. Në përfundim të takimit, drejtori Prifti i ka garantuar tregtarët se ata që nesër mund të fillojnë të tregtojnë rregullisht në treg si ditët e tjera dhe në ditët në vijim do të njihen me masat e marra për sasinë dhe llojin e taksave që do të paguajnë.
|