|
Isak Shehu: Frymemarrje per muziken klasike |
|
Friday, 17 March 2006 |
Isak Shehu: Frymemarrje per muziken klasike
Një frymëmarrje për muzikën | Isak Shehu | Jeta artistike në vendin tonë është në nivele që nuk i përgjigjen kërkesave të pub likut të gjerë për të gjitha shtresat e këtij publiku. Duke qenë se i përkas fushës së muzikës dua të ndalem në këtë fushë, pasi më duket dhe fusha që ka më shumë probleme në këtë drejtim. Gjëja e parë që të bie në sy është menaxhimi i dobët i produksioneve muzikore në vend, si dhe përqëndrimi i jetës koncertale muzikore në kryeqytet (me ndonjë përjashtim të vogël në Shkodër, Durrës e Vlorë). Kur flas për menaxhim të dobët, e kam fjalën për të gjitha ato produksione të cilat publiku i ndjek vetëm në premierat e tyre dhe as që bëhet fjalë të shfaqen për herë të dytë apo të tretë për artdashësit e qyteteve të tjera. Mendoj një artist apo një tryezë artistike, të cilët punojnë 3 apo 6 muaj për realizimin e një vepre artistike, e cila ka fatin e keq që të jepet një ose dy herë vetëm në kryeqytet. Nga ana menaxheriale dihet se premiera gjithnjë ka kosto më të lartë se sa shfaqja e saj herët e tjera. Pra duhen gjetur mënyrat që këto kapacitete krijuese artistike të shfrytëzohen sa më mirë, në mënyrë që edhe artdashësit e Sarandës, Gjirokastrës, Gramshit apo të Kukësit të shijojnë vlerat e produksioneve artistike të kryeqytetit apo të ndonjë qyteti të madh që ka kapacitete produktive muzikore. Por gjithnjë mbetet problemi i sponsorizimeve, problem që ka ardhur koha të kontrollohet dhe sistemohet në mënyrë më racionale. Dihet që në shoqërinë e ekonomisë së tregut, sponsorizimet janë të lira të bëhen nga institucione të ndryshme për arsye që ato i shohin të arsyeshme duke marrë parasysh reklamën që do u bëhet, monitorimet etj. Por nga ana tjetër këto sponsorizime janë fonde të ardhurash që shteti i zbret nga detyrimet që kanë këto ndërmarrje prodhuese ndaj shtetit dhe të gjithë taksapaguesve. Rrjedhimisht duhet që shteti ti kontrollojë në njëfarë mënyre që ato të jenë sa më efikase për një shpërndarje sa më të saktë. Shembujt në botë nuk mungojnë dhe nuk ka nevojë që ne ti hyjmë eksperimenteve në këtë fushë. P.sh. orkestra sinfonike e qytetit të Bostonit ka si sponsor mbi 30 donatorë duke filluar që nga fabrika prodhimi veshjesh e ushqimesh deri tek dyqane që shesin këpucë apo argjendari, dhe të gjitha aktivitetet që kryen kjo orkestër kontrollohen, përveç drejtuesve artistikë të orkestrës edhe nga Bordi i Donatorëve. Por nga ana tjetër donatorët janë të orientuar nga shteti për të sponsorizuar këtë orkestër. Në të njëjtën mënyrë funksionojnë pothuajse të gjitha orkestrat dhe teatrot e operave në gjithë shtetet e zhvilluara të Europës, SHBA, Japoni etj. Kjo eksperiencë ka filluar të hyjë dhe në lindje me mjaft sukses. Pra nuk kërkohet gjë tjetër veçse nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të kontrollohen më mirë këto fonde sponsorizimesh, në mënyrë që ato të mos monopolizohen, por që ti përgjigjen sa më mirë politikave kulturore të vendit, term i cili lakohet vetëm teorikisht por pak vihet në praktikë. Me sa vihet re këto vitet e tranzicionit, i cili po shkon shumë gjatë, ka sponsorizime me shifra marramendëse për aktivitete të cilat mund ta nxjerrin koston e tyre vetëm me shitjen e biletave, dhe nga ana tjetër aktivitete të promovimit të muzikës “klasike” mezi marrin shifra qesharake. Në të gjithë botën muzika klasike dhe institucionet që e prodhojnë atë, financohen në masën deri 90% nga shteti (ose donacione të orientuara nga shteti), për vetë natyrën dhe vlerat që ka kjo muzikë (klasike). Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të hyjnë këto mendësi, të cilat i shërbejnë direkt zhvillimit të kësaj fushe. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të mbivlerësojë apo të ulë gjinitë e ndryshme të muzikës, të cilat janë të gjitha të rëndësishme për publikun, por për një shpërndarje sa më racionale të fondeve që duhet patjetër të mbështesin artin i cili ka një rol shumë të rëndësishëm në ecurinë dhe formimin kulturor të një kombi.
| |