|
Qeveria rihap tregun tek stadiumi
Brikena Shllaku
SHKODER Pas tre ditësh protestë të më se 300 treg tarëve, qeveria ka vendosur rihapjen e tregut tek stadiumi në qytetin e Shkodrës, i cili u mbyll të hënën nga Policia Tatimore. Ky vendim është marrë mesditën e djeshme, gjatë një takimi të zhvilluar mes zëvendësministrit të Financave, Florian Mima, drejtorit të Përgjithshëm të Tatim Taksave të Shqipërisë, Alfed Prifti dhe tregtarëve. Dy përfaqësuesit e qeverisë kanë shpejtuar të shkojnë në qytetin verior, një ditë pasi tregtarët deklaruan se ishin të zhgënjyer nga kreu i qeverisë aktuale, Sali Berisha, i cili në vend që të ndihmonte biznesin e vogël ashtu siç edhe kishte premtuar, po e shkatërronte atë duke i lënë të papunë. Në takimin e organizuar në ambientet e këtij tregu, është vendosur që ai të hapet sot. Ndërkohë do të vazhdojnë bisedimet për mënyrën sesi do të përcaktohen detyrimet tatimore. Tregtarët që shesin tek stadiumi kanë kërkuar që të trajtohen si tregtarë ambulantë, pasi vendi ku ata shesin është i përkohshëm dhe është improvizuar si treg. Për këtë është rënë dakord që Bashkia të bëjë një relacion për mënyrën sesi do të funksionojë ky treg; nëse është treg i përkohshëm apo i përhershëm. Sipas ligjit, duhet të regjistrohen pranë zyrës së Tatim-Taksave të gjithë ata tregtarë që ushtrojnë aktivitet në tregjet e përhershme. Ndërsa, tregjet e përkohshme të quajtura ndryshe dhe ambulantë, kanë një detyrim shumë më të vogël ndaj Tatim-Taksave. Gjatë fjalës së tij, numri një i Tatim-Taksave ka deklaruar se sipas ligjit, duhet të regjistrohen bizneset e mëdha dhe të vogla. Por në rastin konkret, Prifti ka propozuar që të gjendet një rrugëzgjidhje që edhe ligji të zbatohet, por edhe tregtarët të mos rëndohen. “Jam i ndërgjegjshëm se nuk mund të trajtohen të gjithë tregtarët njëlloj; si ata që tregtojnë në Tiranë, në Shkodër apo në Malësinë e Madhe, ashtu siç nuk duhet të trajtohen njëlloj tregtarët që shesin në qendër të qytetit me ato në periferi”, - është shprehur Alfred Prifti. Ndërkaq, tregtarët kanë thënë se janë dakord t’i paguajnë një taksë prej 10 mijë lekësh në vit Bashkisë. Ata nuk janë dakord që të bëjnë pagesë në Dhomën e Tregtisë dhe pagesën e sigurime shoqërore. HISTORIA Mëngjesin e së hënës, Policia Tatimore mbylli tregun tek stadiumi në Shkodër. Rreth 300 tregtarë që mbetën të papunë protestuan në Bashki në lidhje me vendimin e marrë nga Zyra e Tatim-Taksave duke kërkuar hapjen e tij, pasi kjo do t’i çonte drejt falimentimit të plotë. Nga ana e tjetër, drejtues të Tatim-Taksave i kyçën dyert e tregut, pasi tregtarët që ushtrojnë aktivitet aty nuk kanë shlyer detyrimet në bazë të ligjit të ri (shumën prej 150 mijë lekësh në vit). |