|
Regjisori shkodranë Bruno Shllaku, pas suksesit të dy muajve më parë, me dramatizimin e “Lahutës së Malcis” të Gjergj Fishtës, një tjetër poet i madh shqiptar do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar. Pas pak ditësh në Teatrin Kombëtar do të nisë puna për të sjellë në skenë dramatizimin e poezive të Lasgushi Poradecit
Regjisori shkodranë Bruno Shllaku, pas suksesit të dy muajve më parë, me dramatizimin e “Lahutës së Malcis” të Gjergj Fishtës, një tjetër poet i madh shqiptar do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar. Pas pak ditësh në Teatrin Kombëtar do të nisë puna për të sjellë në skenë dramatizimin e poezive të Lasgushi Poradecit
Poetët e mëdhenj shqiptarë, të munguar prej vitesh, po vijnë më pranë publikut falë projektit të nisur pak kohë më parë nga regjisori shkodran Bruno Shllaku. Pas suksesit që pati vetëm dy muaj më parë, me dramatizimin e “Lahutës së Malcis” të Gjergj Fishtës, një tjetër poet i madh do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar.
Pas pak ditësh në Teatrin Kombëtar do të nisë puna për të sjellë në skenë dramatizimin e poezive të Lasgushi Poradecit, edhe këtë herë Shllaku ka zgjedhur një mënyrë të veçantë. Duke tentuar të jetë origjinal ai ka preferuar ta sjellë Lasgushin dhe poezitë e tij përmes së njëjtës frymë, aq shumë të mirëpritur nga publiku, që solli Fishtën. Duke u shprehur për “Metropol”, regjisori Shllaku theksoi se “nuk do të jetë më mënyra tradicionale ku një grup poezish apo një pjesë e krijimtarisë poetike të Poradecit do të recitohen nga aktorët, por një dramatizim i vërtetë i një prej lirikëve më të rëndësishëm dhe më emocionues të letërsisë shqipe”.
Një prej korifenjve të letrave shqipe, Lasgush Poradeci, do të risillet për artdashësit kryeqytetas përmes përsiatjeve dhe poezive gjatë një aktiviteti të veçantë artistik në Teatrin Kombëtar. Ka qenë kjo një ide e regjisorit shkodran, Bruno Shllaku, i cili ka zgjedhur këtë mënyrë për të kujtuar poetin, që i thuri himn dashurisë gjithë jetën e tij, duke e ngritur poezinë shqipe në majat më të larta. Në përkujtim Do të jetë një mbrëmje poetike me vargje të shkëputura nga veprat më të njohura të gjeniut Poradeci, ku për herë të parë do të recitohen edhe vargje të pabotuara ndonjëherë. Lirika e Lasgushit do të vijë për publikun përmes interpretimit të aktorëve të mirënjohur Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Lazër Filipi, Marjeta Larja, Bujar Asqeriu, Paskualina Shllaku, Valbona Imami, etj.
Premierën e saj, e cila pritet të jetë në muajin Prill, regjisori Shllaku mendon ta japë në qytetin e lindjes së poetit të madh, Pogradec. Përmes forcës së poezisë, lirikës së dashurisë, filozofisë e mendimit por edhe dashurisë për atdheun, poetët e mëdhenj që Shllaku do të ngjisë në skenë ai synon të rizgjojë vetëdijen kombëtare dhe të afrojë të rinjtë me poetët e munguar Lasgushin, Fishtën, etj. Për “Metropol” Bruno Shllaku pohon se, “ndjehet entuziast që po sjell ndryshe në skenën e Teatrit Kombëtar, poezitë e lirikut të madh”. Pak kohë më parë Shllaku kishte pohuar për gazetën se, pas Fishtës, në skenën e Teatrit Kombëtar do të vinin edhe poetë të tjerë të munguar prej vitesh. Poetët kombëtar të përmasave të tyre nuk mund të lihen në hije, si ka ndodhur deri më sot. “Golgotha e shpiqes” ishte vetëm fillimi i kësaj rruge. Dhe tashmë është radha e Poradecit.
Himn për lirikun e madh
Në Shqipëri, të rrallë kanë qenë shkrimtarët si ai, e megjithatë, nuk u vlerësua kurrë aq sa e meritonte.
Lasgush Poradeci, emri i vërtetë është Llazar Gusho, lindi më 27 dhjetor 1899 në Pogradec, në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun. Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t'i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane. Në dallim nga poetët e Rilindjes, që megjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.
Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë shqipe jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.
Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.
Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë "Vallja e yjeve", dhe më 1937, u botua vëllimi i dytë "Ylli i zemrës". Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat "Eskursioni teologjik i Sokratit", "Mbi ta", "Kamadeva", baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si "Eugjen Onjegin" të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.
Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrat e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturë sonë si Eqerem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli etj. Sipas dëshirës së tij, ai u varros në qytetin e Pogradecit më 14 nëntor të vitit 1987. Me rastin e 100-vjetorit te lindjes, ai u nderua nga Presidenti i Republikës, me titullin "Nderi i kombit". Si një personalitet i shquar dhe poet i vërtetë ai nuk ua nënshtroi kurrë artin e tij kërkesave dhe synimeve të diktaturës. Për këtë arsye ai u la në një gjendje ekonomike të rëndë dhe pothuaj në harresë nga shtypi zyrtar. Vetëm në vitin 1989 mundi të botohet vepra e tij e plotë. |