Skip to content
Site Tools
Narrow screen resolution Wide screen resolution Auto adjust screen size Increase font size Decrease font size Default font size default color blue color green color
You are here: Hyrje arrow Opinione arrow Kur gėrmon nėn themelet e ......
Kur gėrmon nėn themelet e ......
Tuesday, 11 November 2008

opinion

Besi Bekteshi

Natyrisht që fatkeqësi të tilla si ajo e Gjirokastrës, nuk është aspak mirë të trajtohen politikisht, por në fakt vetëm për politikë këtu nuk të zë goja të bisedosh dhe s’ka lidhje përveç fajit me politikën. Jo nuk është lojë fjalësh por një “kasapllëk” politik dhe lejesh ndërtimi që sajon të tilla tragjedi.
Në Itali shpërthen një impiant gazi dhe shëmbet ndërtesa, diku tjetër si në Haiti mbushet një shkollë plot dhe rrëzohet ajo edhe pse po punohet me faj, dhe ka viktima. Përpara shumë kohësh në Turqi bie termet dhe shëmben si letra pallatet e krijojnë viktima dhe pastaj drejtësia e këtij vëndi arreston me shumicë njerëz që mbajnë përgjegjësi dhe fatkeqësi të ndryshme godasin botën mbarë si për gabime njerzore ashtu edhe për papërgjegjësi të ndryshme, për të shkaktuar viktima.
Po ashtu edhe në Gjirokastër janë shoqëruar rreth 22 persona dhe midis tyre gjashtë e vazhdojnë më tepër të arrestuar e kjo tashmë është edhe natyra e këtyre fatkqësive që marrin jetë njerzish. Por ka fatkeqësi në mbytje në varka në ujë te ne në liqene të vegjël dikush për qef dhe dikush për të kaluar kufirin si të parregullt. Ka fatkeqësi automobilistike nëpër rrugë të pa kalueshme dhe me shumë viktima. Ka fatkeqësi si ajo e Gërdecit që rrafshohen fshatra dhe vdesin  njerëz, por që kanë të gjitha një të përbashkët. Të gjitha në një farë mënyre kanë eskavatorin nën themele të shoqërisë dhe shtetit, por edhe të demokracisë dhe ligjit.
E kanë dhe për këtë nuk e ka fajin vetëm pushteti qëndror i sotëm apo ai lokal që mund të jetë demokrat apo socialist, por është faji i madh i një largimi të tepërt nga Europa që ne vazhdojmë të prodhojmë në saj të letrave të ndyra që vulosim dhe “natyralizojmë” si të pastra.
Patjetër që në momentin e parë të rrëzimit të një pallat, ajo që mungonte është një skuadër e specializuar e kërkimeve nën rrënoja dhe profesionalizmi në këtë drejtim. Gjithë respektin e zjarrfiksëve tanë të cilët janë heronj, por me emergjencat, shteti shqiptar është një hiç dhe i pa përgatitur dhe kjo u pa edhe në Gërdec. Kollaj është të thuash se “kemi vullnetin” dhe vijmë me shumicë si kryeministra dhe lidera kryesor opozitar për të qënë prezent, por është më zor që të krijosh konceptin e profesionalizimit dhe përgjigjes flakë për flakë, pa qarë dhe pritur bie fjala ndihmë nga Greqia megjithse edhe ajo duhet falenderuar.  Nejse është një situatë që nuk arrin të thuash më shumë për respekt të viktimave dhe patjetër nuk është mirë që ti harrosh ato dhe të bësh kritikë, por si ai pallat në Gjirokastër apo afër tij ka disa qindra dhe ndoshta mijra në Shqipëri.
Si pallateve të vjetra të kohës së diktaturës dhe ato të rejat ju janë bërë ndërhyrje në themele në mënyra të përbindëshme dhe janë shumë pak ato që po me letra, kanë ndërhyrje normale të transformimit strukturor.
Në Gjirokastër edhe me anën e lejeve është arritur që me anën e letrave dhe abuzivizmit të vulosur që ato prodhojnë, të punohet pa kujdes edhe pse të lajmëruar nën themelet e një pallati më lart. Është histeria e ndërtimeve që kalojnë kufirin e fitimit dhe histeria e lekëmarësve pushtetarë që lejojnë dhe për më tepër urdhërojnë dhe firmosin të tilla monstro ndërtimesh që shikohen përditë.
Me letra dhe vula abuzive apaltesh dhe lejesh së ndërtimeve po shkatërrohen hapsira të gjelbërta, po lejohen ndërtime që prodhojnë kaos urban dhe histeri betonesh. Me leje abuzive dhe mendim histerik fitimprurës që për këto leje kërkon miliona, po detyrohet një shoqëri e tërë të drejtohet mbas atyre që këto pare i përdorin për jo vetëm fuqizmin e tyre por edhe për ngritjen në piedestale të një politike të lartë, e cila gërmon themelet e demokracisë në Shqipëri.
Ky rrëzim pallati duhet të hapë një diskutim të gjërë të shumë e shumë lejeve dhe punëve të kryera me të tillë abuzivizëm histerik dhe politik. Nuk është e vërtetë që “është një problem pa përgjegjshmërie” sepse kështu shumë kush do të mbyllte telashet. Ky është një problem “tenderimi personal” për ndërtimin dhe faktorin tragjik të ndërtimeve pa kritere normale dhe të standartit që në plan të parë ka rregullat e lojës dhe kontrollin mbi këto rregulla.
Imagjinoni se sa pakujdesi dhe sa papërgjegjshmëri të tilla ka në të gjithë Shqipërinë dhe se çfarë mund të ndodhë sikur të godasë ndonjë fatkeqësi natyrore si bie fjala termeti relativisht i rëndë. Më anën e letrave dhe diku diku edhe pa letra, ka themele të shkatërruara pallatesh dhe ndërtimesh, e kjo është më se e sigurtë se do të na kushtojë rëndë, një ditë.
Në qoftëse ishte qeveria që dinte dhe gënjen se “nuk dinte” për Gërdecin dhe e transformoi në një gjysëm bombe atomike zonën, pa pasoja natyrisht rrezatuese, tani është një pushtet lokal i një ngjyre tjetër që gërmon në themele e pastaj jep edhe 200.000 lekë të vjetra çdo banori që ka mbetur jashtë.
Në një anë ka pushtete lokale në Tiranë që marrin dhe nxjerrin jashtë banorë me leje dhe ka edhe transformime në  ndërtime që betonizojnë dhe nga ana tjetër ka një qeveri që shet mënd për suksese dhe vazhdojnë ti ndodhin fatkeqësi, sepse lejohet dhe aprovohet gërmimi nën themele të cilat pastaj prishin dhe rrëzojnë të gjithë ngrehinën e shoqërisë dhe demokracisë.
Kështu u “gërmua ethshëm” në 96-tën deri sa erdhi 97-ta me rënien e firmave rentiere dhe u lejua ky “gërmim” i shtetit, sepse dikush duhet të fitonte dhe faji nuk ishte vetëm i rojes që ishte shteti, por edhe i paralajmërueseve të opozitës që shumë prej drejtuesve i kishin specialistë në këtë firma.
Tani po plasin situata të tilla “gërmimi” që në përgjithësi duhet kuptuar se ne kemi një “shtet prej kartoni” jo vetëm në qëndër, por edhe në periferi ku nganjëherë ai nuk egziston fare.
Histeria e ndërtimeve dhe lejeve të tyre, por edhe të standarteve në ndërtim, është një “gërmim” i jashtëzakonshëm në themelet e shtetit. Tani sa lekë bën që Berisha thotë se dihet të verifikohen lejet dhe plotësimi i standarteve dhe studimit gjeologjik  Ndërtimet kaotike dhe histeria e plotë e tyre pa standarte dhe kontrolle, është një mjet pasurimi i politikës dhe këtë gjë e kanë dhënë tashmë shumë stacione televizive dhe agjensi të lajmeve të botës. Gjirokastra ishte plasja e një demostrim i asaj që mund të ndodhë, por edhe një paralajmërim i fundit që teprimi ka shkuar aty ku nuk mban më asgjë.
Mungesë transparence në ndërtim,arrogancë dhe shpejtësi për të bërë fakte të kryera, pagesa të mëdha me shuma të majme për të ndërtuar pa kritere urbane dhe standarte, ky është realiteti dhe këtë realitet e duan dhe e pranojnë apo më mirë joshin, edhe pushtetarët si vëndorë dhe qëndrorë të këtij vëndi.
Ne jemi një turp urban dhe në ndërtim, dhe po kthehemi në viktima dhe kanibalë që për fitim, tanimë nuk kursejmë as jetë njerzore.
Jo, tanimë nuk duhet kërkuar faji te politika edhe pse dihet se ajo është fajtoria  parë. Faji duhet kërkuar te pikërisht një delir dhe histeri pasurimi që një pjesë e madhe e pushtetarëve dhe politikanëve po përdorin. Janë kaq në delir sa që po ekspozohen përditë e më shumë si ordinerë që “grabisin” pa pasur nevojë të vendosin në kokë maskën.

Në fakt qëllimi i tyre është të gërmojnë nën demokracinë dhe shtetin ligjor për ta rrëzuar atë.
Për ta rrëzuar dhe pastaj bërtitur se “kemi marrë masa dhe përballojmë emergjenca”. Për të qënë gjithmonë të justifikuar dhe që një popull i tërë “të ketë nevojë për to që mbasi e kanë bërë e krijuar fatkeqësinë, të vijnë dhe përballojnë emergjencën”.Më tepër se në themelet e një pallati në Gjirokastër, pjesa e denatyruar e politikës dhe që është në dy palë lidershipe si demokratike dhe socialiste, po lejon gërryerjn e themeleve të ligjit dhe veprimit të tij. Qëllimi është rrëzimi i konceptit të zbatimi të tij dhe futjes në vënd të ligjit të urdhërave dhe interesave partiake dhe personale të njerzve të pushtetit.
Ky është një turp tjetër, një fatkeqësi e cila nuk mund të jetë e vetme, sepse në Shqipëri ka me mijra ndërtime që ju janë gërmuar themelet dhe ka qindra ndërtime që themelet i kanë jo ligjore në të gjitha format.
Por ndoshta edhe kjo do të kalohet lehtë, sepse “dy pushtetërimi demokrato-socialist” i duetit Berisha - Rama është i vendosur që ti kalojë pikërisht këto gjëra lehtë, mbasi edhe marrëveshjet i kanë të rregulluara për fitimin dypalësh dhe të prishjes një herë e përgjithmonë të ndershmërisë politike dhe ekonomike të politikës e shoqërisë.

Në fakt dhe pse i butë, Berisha në qëndrimet e tij ndaj fatkeqësisë dhe ngushtimit vetëm në dhënien e ndihmës dhe strehimit apo edhe daljes së përgjegjësisë, nuk arriti ti kthente Ramës “rrahjen e shpatullave” për pushtetin lokal socialist të Gjirokastrës, që po mekej nga frika e mbas rrëzimit të pallatit.
Kjo sellje xhentëlmenësh e shoqëruar me “acarime” të kuptueshme mediatike, por që ka si bazë marrëveshjet okulte dhe të dyshueshme dhe kuptueshme si të ndyta ekonomike dhe politike midis protagonistëve, ky është edhe “eskavatori i madh që gërryen përditë pamëshirshëm demokracinë dhe shtetin e ligjit në Shqipëri”.
 
 


 
 
 
 

 


 

Opera Mrika

opera_mrika2.jpg

L A J M E R I M E KULTURORE

Koha Shkoder online

Shkoder, Albania
Temp: 1°C
Mes.: 1°C
Lag.: 87%
Shpejt.: 2 km/h
Drejtimi:
Barom.: 1020.0 mb
VAR

Harta e klikimeve

Locations of visitors to this page