|
Të papërgjegjëshmit (Piromanët politikë) Opinion Besi Bekteshi
Vetëm në tre ditët e fundit janë ndezur disa dhjetra zjarre që nga Shkodra e deri në jugun e Shqipërisë, duke shkaktuar jo vetëm një pasiguri për pronën dhe shpesh herë edhe për jetën, por edhe për faktin e mësuar se më shumë se gjysma e këtyre zjarreve është e qëllimshme. Barinj që ndezin kullotat apo “qeflinj” që nuk kanë asnjë objekt apo punë tjetër për të bërë, por edhe piromanë që për profesion të tyre kanë ndezjen e zjarrit, tashmë kanë edhe momentin e tyre të kalimit në delir.
Kur një tym del në një anë mali, nga ana tjetër gjëndet një i tillë delirant dhe i sëmurë psiqik që ndez edhe anën e tij të malit, sepse e tërheq panorama me tym dhe flakë në anën përballë.
Nuk janë vetëm të papërgjegjëshmit që individualisht ndezin male dhe kodra apo fusha të Shqipërisë. Ka delir edhe në shtetin shqiptar i cili ka vite që e shikon situatën e zjarreve dhe ka të dhëna të plota që zjarret ndizen kryesisht nga individë të papërgjegjëshëm të cilët nuk mund të kontrollohen kollaj dhe nuk mund të izolohen, po kaq kollaj. Por shteti dhe zyrtarët e tij patjetër që këto individë mund ti parashikojnë kollaj dhe këtu ka papërgjegjshmëri të theksuar të pikërisht këtij shteti keqfunksionues.
Shteti ka në dorë “Mbrojtjen Civile” apo nuk dihet se çfarë termi kemi për këtë gjë.
Në 2008-tën shteti shqiptar nuk ka një helikopter që është i specializuar për shuarjen e flakëve. Nuk ka as një avion të vogël apo të mesem (canadian) që furnizohet me ujë dhe që shërben për emergjencat. Nuk ka sektorë të mirë trajnuar për flakët dhe paisje moderne për pikërisht këtë emergjencë sidomos në pyje. Nuk e merr seriozisht këtë problem, sepse sillet si një “shtet i papërgjegjëshëm” dhe megjithse mund të konsiderohet fjalë e rëndë nuk është aspak e pa drejtë.
Vitin e kaluar janë thirrur avionë e helikopterë nga Greqia dhe Italia, por edhe me larg se kaq, për të shuar zjarret tona që më shumë se gjysma digjeshin nga që disa njerëz për vullnet idiot dhe me papërgjegjshmëri provonin të shikonin se “si digjet pylli” dhe nga njëherë edhe shtëpitë e tyre, apo të bashkëfshatarëve. Kësaj papërgjegjshmërie i del përballë edhe papërgjegjshmëria e shtetit që nuk ka 1 milion euro për të blerë dy mjete fluturuese që shkarkojnë ujë nga qiellli dhe paisje të tjera komunikimi dhe infrastrukture antizjarr të kohës moderne. Jo, nuk ka, edhe pse shteti shet mënd ditë për ditë me investime të ndryshme dhe po ashtu edhe për arritje madhështore të cilat të ngjajnë si dy pika uji me hajvannlleqet e diktaturës në planet e dikurshme 5-së vjeçare.
Po, ka edhe papërgjegjshmërinë tjetër, se në vitin 2008-të kur shteti (do zoti e nuk bën vaki)) ndodhet në vështirësi (shteti) therret ndihmë në të gjithë botën se “po digjemi” dhe pastaj bota demokratike duke na ditur edhe papërgjegjshmërinë tonë historike, turret vrap, sepse....digjemi për fare.
Kaq të papërgjegjëshëm jemi si organizim, sa edhe dylbi për të vrojtuar pyllin kur digjet nuk kanë “shtabistët” dhe tashmë që një pjesë e “Mbrojtjes Civile” dhe të “Shtabeve” i kanë kaluar Bashkive dhe Komunave, mund të imagjinohet lehtë se në çfarë kushtesh maksimale, flakët do të përpijnë gjithshka.
Kur akoma kemi termin “Shtabi i Emergjencave” nëpër prefektura, kuptohet se akoma nuk jemi ndarë nga strukturat idiote të komunizmit ku ka nevojë për një “Shtab”.
Në fakt bota perendimore demokratike, ka struktura të gatshme permanente që nuk janë shtabe, por makanizma të menjëhershme për tu përballur në çdo kohë me emergjencën dhe marrin rrogën për këtë punë, duke qëndruar në gadishmëri.
Ne bëjmë kallaballek me polici, ushtri, katundarë, zjarfiksa, roje pylli, policë trafiku, prefektë, zyrtarë nga më barkalecët dhe si përfundim zjarri djeg e mbaron punë sa të gjithë këto të “mobilizohen”e të shuajnë me frymë ose me sh...ë zjarrin e ndezur.
Nejse!!!
Kjo gjë vjen se kështu jemi edhe politikisht.
Ne kemi piromanë politikë dhe struktura (shtabe) të ngjashme për të “shuar” pikërisht këto zjarre që ndezin vazhdimisht këto piromanë.
Demokracia jonë ka vite që ndez zjarr zgjedhjesh të cilat e djegin vëndin në çdo dy vite dhe pastaj “mobilizojmë” shtabet për të përballur emergjencën. Shtetarët tonë ndezin zjarr të qëllimshëm pronash dhe për më tepër janë piromanë pronësie, ku sot e kësaj dite ky zjarr nuk shuhet, sepse nuk e merr vesh “qeni të zotin” në çështje prone dhe shtabi i emergjencave çon edhe erën, për tu ndezur më shumë ky problem.
Ne kemi pasur vazhdimisht piromanë pozitarë dhe opozitarë që nuk kanë lënë gjë pa djegur dhe vënë flakën që nga 92-shi e deri më tani, për tu kulmuar në 97-tën me djegien e të gjithë Shqipërisë dhe askush deri më tani, nuk ka mbajtur përgjegjësi.
Na janë mbytur në ujra dhe vdekur maleve qindra njerëz dhe “piromanët” politikë vetëm kanë shtuar zjarrin për të përfituar “kullotë politike” më shumë dhe lënë tokë të zhuritur pas.
Në 2008-tën në saj të piromanëve kemi ndezur afër Tiranës një zjarr që shkaktoi viktima dhe shkatërroi mijra shtëpi dhe familje dhe “Shtabi i Emergjencave” arriti të deklaronte se i ka marrë masat shumë shpejt për të përballuar situatën.
Piromanët politikë të sotëm djegin me vetëdije çdo gjë që ju del përpara, sepse ju duhet kullota dhe vazhdojnë të varfërojnë në mënyrë të tejskajshme popullin e tyre dhe vazhdojnë në mënyrë progresive të bëjnë të pasigurtë të ardhmen e tyre.
Për këtë nuk ndërtojnë strukturat e vazhdushme dhe të reja të “Mbrojtjes Civile” të cilat do të mund të vepronin të pavarura, kur emergjenca të shfaqet.
Nuk duan ti ndërtojnë, sepse në “komandë vazhdimisht është partia” dhe komandanti legjendar që drejton edhe “shtabet” që janë struktura që marrin frymë nga pikërisht “komandanti”.
Po ti shtosh kësaj gjëje dhe hajdutërinë, atëhere tabloja bëhet e qartë dhe e plotë në pështirësinë e saj të pa kufi.
Papërgjegjshmëri për financat e rëna për tokë, papërgjegjshmëri për sistemin demokratik të rënë për tokë, papërgjegjshmëri për ligjet e prodhuara më kot, papërgjegjshmëri për detyrat e pa plotësuara deri më sot, një papërgjegjshmëri totale dhe e pa ndreqshme që të shkakton frikë pikërisht si zjarri që të afrohet dhe kur nuk ke as mjete dhe as shteg shpëtimi. Ky është edhe realiteti shqiptar, tepër negativ, i sajuar dhe zotëruar nga piromanët e politikës mbi 18-të vjeçare shqiptare.
Piromanët politikë në Shqipëri kanë emër dhe mbiemër dhe kanë një veprimtari të “shquar” në ndezjen e zjarrve të shumta që e kanë zhuritur këtë vënd.
Ato janë vazhdimisht në majë dhe tentojnë të jenë akoma zotër të situatës, sepse kanë pikërisht të ngritura struktura ndihmëse që nuk shërbejnë të shuajnë apo parandalojnë zjarre. Sot të tillë politikanë kanë vendosur tre vatra zjarri të cilat janë “drejtësia”, “Presidenti” dhe “spiunët” dhe mendojnë se mjaftojnë për të mobilizuar “Shtabet e Emergjencës” për të qënë gjithmonë në këtë drejtim në fokus. Për më tepër se në këtë drejtim ndihmohen edhe nga opozita shqiptare e kapur në “piromaninë politike” të njerzve që nuk janë të zot të shkojnë drejt perëndimit si veprim pavarësisht të fjalëve të shumta dhe bajate që deklarojnë pikërisht për këtë drejtim ditë për ditë.
Ka fajësi dyfishe pozitë-opozitë dhe ndërsa “piromanët” djegin me qëllim dhe mobilizimi vazhdon te zjarret në mal apo pyje, te njerzit pakësohen të ardhurat, shtrenjtësohen çmimet, shtohet pasiguria për jetën, rëndohet vazhdimisht standarti i jetës, rritet korrupsioni dhe malavita akoma më e sofistikuar, rriten monopolet dhe lidhja e tyre politike dhe qeveritare, shtohet presioni fiskal dhe ai burrokratik, bien shërbimet dhe rrëzohen sistemet e arsimit, drejtësisë dhe shëndetsisë akoma më shumë dhe shoqëria degradon drejt të keqes në përgjithësi e shteti drejt rrumpallizmit dhe korrupsionit, në veçanti.
Çfarë pritet akoma më shumë se kaq?
Mbase pritet të ndizet ndonjë zjarr i madh që as me “shtabe emergjence” nuk e shuajmë dhe pastaj duke qarë si fëmijë me brekë nëpër këmbë, të nxirë, djegur e të lëtyrosur, shkojmë të kërkojmë ndihmë te bota, duke premtuar se “nuk e përsërisim më” dhe ajo me siguri e dhimbsur si gjithmonë, na lan, ushqen dhe shëron të djegurat, që pastaj sërish sa të marrim veten, të kapin shkrepsen dhe pishën, për ti vënë edhe një herë flakën vetes apo edhe gjësë tonë të përbashkët.
Ndoshta e kam gabim që përdor “shumësin” në këtë rast, sepse nuk jemi ne që e bëjmë këtë maskarallek. Janë ato dhe njihen nga të gjithë si “piromanë” politikë, kurse ne jemi vetëm viktimat që kemi një faj atë të mos reagimit demokratik ndaj këtyre piromanëve.
|