Atraksionet.Besi Bekteshi.Razma, midis turizmit primitiv dhe injorimit të plotë shtetëror.Një nga vëndet më të hershme të pushimit klimaterik dhe turistik jo vetëm të Shkodrës, por edhe të Shqipërisë, është Razma. Pika klimaterike nën këmbët e Veleçikut spektakolar me kushte të jashtëzakonshme për pushim kreativ, me pista të bollshme për ski, alpinizëm dhe me pamje magjepse të cilat nuk janë shumë larg qytetit më të madh në veri, sot në mijëvjeçarin e tretë është një vënd ku tentohet për të bërë turizëm dimëror dhe veror, porse strukturat si qëndrore dhe lokale, nuk kanë kurrfarë interesi dhe plani konkret për të.
Që në fillimet e shekullit të 20-të “zotninjtë” e Shkodrës kishin zbuluar Razmën dhe kishin aty disa vila të vogla që shërbenin për pushimet e tyre verore dhe dimërore. Por zbulimi i saj është bërë rreth vitit 1890-të nga botanisti Antonio Bolduçi dhe pastaj kjo pikë është bërë e njohur jo vetëm për botanistë dhe gjeografë italianë, por dhe kroatë dhe austriakë. Rruga ka qënë një rudiment infrastrukturor, por gjatë kohës së diktaturës u shtrua disi me asfalt. Sot Razma ka një rrugë të shtruar para dy vitesh, jo të gjërë, por që të çon normalisht atje. Megjithatë me makinë dhe në momentin që nuk ka dëborë masive nga Shkodra deri në Razëm nuk konsumohet më tepër se një orë udhëtim midis pamjeve të shkëlqyera të kësaj rruge ku një nga më të bukurat është “kanioni i vogël por tepër i bukur i Prroit të Thatë”. Rrotull Razmës janë fshatrat tepër të bukur të Vermoshit e Bogës, një perlë tjetër turistike dhe Vuklit tjetër fshat paksa më tutje. Shpatet e maleve dhe rrafshinat tip lug midis tyre të mbushura me pemë të drejta dhe pisha madhështore janë një kënaqësi jo vetëm për syrin, por dhe për mushkëritë të cilat në Shkodër kanë depozituar pluhurin e qytetit të madh dhe të zhurmëshëm verior. Razma në sistemin e saj gjeologjik është një pllajë karstike e stërmadhe. Qielli gjithmonë blu dhe me nuanca të ndryshme sipas perëndimit, tërheq të apasionuarit e fotografisë, por ai bën garë edhe me ujin kristal edhe ky në kaltërsi vezulluese që të “then dhambët” siç thonë turistët sportivë nga universiteti i Shkodrës, studentë të fakultetit të “Edukimit Fizik” në këtë gjigand të dijes në veri.

Mbas 40 minutave udhëtim dhe në një lartësi prej 500 m, telefonat celular fillojnë të mos kenë valë të asnjë operatori në Shqipëri, por vazhdon si për të krijuar një “boshllek në stomak” operatori i vetëm malazias që depërton në këto visa shumë thellë në tokën shqiptare. Shtyllat e dikurshme të telefonisë fiksa të kohës së moniszmit janë vjedhur dhe marrë prej kohësh por ka akoma disa në këmbë dhe razma ka një rrugë që të çon normalisht por i mungon krejtësisht lidhja telefonike me shtetin shqiptar. Nuk ka shumë borë në Razëm, por gjithsesi në disa pista të saj paksa më andej edhe këto ditë të nxehta shkurti, gjen një sasi të tillë sa për të bërë të plotë ciklin e mësimit të skive. Fshati është po ai. Unë po e quaj fshat, por në fakt Razma është një pikë turistike dhe kështu ka qënë para çlirimit dhe në diktaturë. Sot nuk është kështu po të përjashtosh disa privatë që mundohen të mbijetojnë duke u “përplasur me tregun” dhe mungesën e informacionit dhe kujdesit shtetëror. Gjithsesi janë të rregulluara disa godina të vogla dhe ajo e madhja e dikurshme dhe ka edhe guzhinë e restorant të mirë dhe me çmime të lira. Tensioni është jashtëzakonisht i dobët, thuajse një tension i cili “as nuk të xen” siç thonë banorët. Megjithse planet janë për një transformator i cili do ta rrisë tensionin privatisht, duhet thënë se Razmës shteti nuk i ka siguruar asgjë në tre elementët bazë që janë uji, elektriku dhe telefonia. Privatët vëndas dhe një investues nga qyteti po bëjnë të mundur që Razma si në dimër dhe në verë të jetë tërheqëse dhe me kushte fjetje dhe ngrënie tepër të mira dhe me konceptet e qytetit edhe mjaft të lira. Por mungesa e lidhjeve turistike dhe sidomos ato kurative dhe për ski e alpinizëm, përbën modelin më të keq të formuar dhe avancuar këto 16-të vite demokraci. Razma ka pista për ski dhe klimë kurative si në dimër dhe verë. Sëmundjet e mushkërive dhe sidomos problemet e stresit në këtë hapësirë malore dhe të bukur, janë kuruar gjithmonë në të kaluarën për tu “shmangur” me një neglizhencë të turpshme sot. Asnjë investim normal shtetëror për të krijuar pikërisht kushtet e duhura. Kurse për pushtetin lokal as që bëhet fjalë se ka të ardhura dhe fonde për të ndërtuar një kamp dhe struktura të tilla që tërheqin skiatorë, alpinistë, botanistë dhe vizitorë jo vetëm nga Shqipëria, por dhe bota. Jo vetëm mrekulli shkëmbore,, me pllaja dhe pyll të bukur, por bota shtazore dhe shpendët janë një magjepje e vizitorëve. Në razëm ka derr të egër, ujk dhe ketrin sëbashku me lepurin e egër të malit. Por aty gjindet edhe dhelpra e kaprolli sëbashku me lundërzën. Si shpendë janë shqipja e malit dhe skifteri por edhe orli sëbashku me gjelin e egër gjithmonë e në pakësim. Gjithsesi nuk mungojnë shepka dhe mulli bardha për të apasionuarit e botës së shpendëve.
Vetëm 40 km nga Shkodra dhe vetëm 126 km nga Tirana, pika kurative e turistike verore dhe dimërore e Razmës, nuk konsiderohet për asgjë dhe ç’është më e keqia nuk ka një plan rregullimi dhe transformimi i cili të jetë deklaruar dhe të jetë pasuar me fonde. Ka vetëm “gënjeshtra të ndryshme kur ka ndonjë seminar apo ku të huajt kërkojnë të dinë diçka për të”. Ky është edhe momenti anormal i saj dhe drejtuesve jo vetëm në ministrinë përkatëse të turizmit, ashtu si edhe në pushtetin lokal. Një shtet që nuk çon energjinë e duhur dhe telefoninë apo ujin 126 km larg Tiranës, kuptohet lehtë se nuk ka ndërmend të bëhet shtytës inisiativash dhe përfitimi ekonomik në kushte të përhershme klimaterike të shkëlqyera për kurim, alpinizën, ski dhe pushim edhe në verë përveç se në dimër. Nuk ka edhe një mbështetje financiare dhe asnjë organizim sensibilizues turistik, përkundrazi ka agjensi që e shmangin dhe nuk e tregojnë as në guida turistike të Shqipërisë. Sëpaku policia ndërtimore ka ndërhyrë para disa kohësh për të ndaluar veprimtari të paligjëshme dhe këtë gjë e ka bërë vetëm një herë dhe tashmë është larg duke lejuar ndërtim të shtëpive jashtë traditës dhe kulturës ndërtimore pikërisht aty. Por të dhënat e Razmës në turizëm dhe veprimtari sportive përpara viteve 90-të kanë qënë krejtësisht ndryshe. Mbi 3000 pushues vjetorë, rreth 12 ekipe sportive dhe shumë organizime shoqërore si shkolla, ndërrmarje dhe institucione si dhe sindikatat e atëhershme vetëm në dimër, tregojnë se Razma nga një vënd i rëndësishëm turistik është një harresë e qëllimshme administrative. Pse e qëllimshme?
Po sipas fjalëve të një banori të vjetër aty i cili thotë se: Askush sot nuk do të konsumojë në vënd lekët dhe fitimin e punës së përditëshme, të gjithë tentojnë ti nxjerrin ato jashtë dhe t’ja japin të huajit” kuptohet edhe pse Razma sot është kështu.
|