Shko tek permbajtja
Strumentet
Narrow screen resolution Wide screen resolution Auto adjust screen size Increase font size Decrease font size Default font size default color blue color green color
Ju jeni ketu: Home arrow Opinione arrow Elsa Demo : Zef Kolombi, 100 vjet
Elsa Demo : Zef Kolombi, 100 vjet E-mail
Monday, 22 January 2007

Zef Kolombi, 100 vjet
Elsa Demo
21-01-2007
Formimi si piktor në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë ndihet plotësisht në veprën e Zef Kolombit. Kaq mjafton për të përgënjeshtruar të gjithë ata që "e kanë konsideruar fatkeqësisht dhe në mënyrë të pamoralshme si të parin piktor të realizmit socialist, fakt i dhimbshëm që nuk qëndron." Në 100 vjetorin e lindjes së Zef Kolombit studiuesja Suzana Varavarica Kuka, në bashkëpunim me ideatorin e këtij përvjetori, kolegun Ylli Drishti, i bën me këtë përkufizim një revizionim të rëndësishëm figurës dhe veprës së piktorit që do të përkujtohet për një javë 3-10 mars në Shkodrën e tij. Galeria Kombëtare e Arteve, në bashkëpunim me galerinë e Shkodrës, ekspozojnë thuajse gjithë krijimtarinë e Piktorit të Popullit Kolombi, titull që ai e mori pas vdekjes në vitin 1949 kur stimujt e realizmit socialist nuk kishin lindur akoma. Së bashku me veprat që vijnë nga Tirana, rreth 40, gjatë javës së aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Zef Kolombit prezantohet dhe një albumi me krijimtarinë e tij, një film dokumentar dhe tema studimore mbi artistin e një prej figurave më të rëndësishme të artit pamor shqiptar në gjysmën e parë të shek.XX.

"Po t'i hedhësh një sy zhvillimeve të pikturës shqiptare zbulon se ajo vjen nëpërmjet një rruge e cila derivon nga zhvillime shumë më të largëta që nga mesjeta, me periudhën e gjatë të artit Bizantin dhe Pasbizantin në Shqipëri",- shpjegon studiuesja Varvarica Kuka. Sipas saj, Zef Kolombi është nga të parët piktorë, pas Kol Idromenos që shfaqet në historinë e pikturës laike shqiptare. Është një nga përfaqësuesit seriozë të artit shqiptar të zhvilluar gjatë gjysmës së parë të të shekullit XX që i përket artit të Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Ndërsa në pikëpamje artistike krijimtaria e tij dallohet për akademizmin në pikturën e zhanrit, e cila u shfaq gjatë gjithë krijimtarisë së tij.

"Si periudhë kohore ai krijoi në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Situata historike e kësaj kohe u përcaktua nga veprimtaritë patriotike në kërkim të formimit të një shteti shqiptar. Demokratizimi i pikturës, pra shfaqja e pikturës laike, paraqitja në pikturë e njeriut të familjes, e temave të jetës së përditshme dhe e natyrës, hyrja në telajo e dritës dhe e hijes, e perspektivës, modelimi i volumeve të objekteve nëpërmjet dritës dhe hijes, shfaqja e figurës së Skënderbeut si figurë e udhëheqësit të pritur dhe qëndrimi romantik i artistit ndaj objekteve dhe figurës njerëzore, kanë përcaktuar më së shumti cilësimin Art i Rilindjes Kombëtare." Nga kjo panoramë Zef Kolombi cilësohet një piktor shumë i rëndësishëm, i dallueshëm si njohës shumë i mirë i pikturës së natyrës, portretit dhe natyrës së qetë në përmasa të vogla. Prandaj Varvarcia Kuka e konsideron përfaqësuesin më të mirë të natyrës së qetë dhe i peizazhit blegtoral, të kësaj periudhe. Në veçanti nuk mund të kenë shoqe tri vepra të tij si "Rrush e dardhë" 1940, "Tri riska shalqini" 1940 dhe "Peizazh me buallica" 1936. Kjo nuk e përjashton atë dhe si njohës i portretit.

Akademizmi italian ndihet tek të gjitha veprat e tij, madje dhe tek nudot, një prej të cilave po e botojmë, dhe skicat e vizatimit. Ai studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë në vitet 1929-1933, atje ku u formuan disa nga artistët e parë shqiptarë. "E ndjera Kristina Koljaka do ta kujtonte takimin që i dhuroi studenti i vitit të fundit Zef Kolombi, për befasinë që i shkaktoi sjellja e veçantë e djalit shqiptar, që nuk do ta harronte kurrë, pasi nuk kishte pasur mundësi ta shijonte më parë ndër meshkujt e kombit të saj",- tregon studiuesja.

Thuhet se të tjera vepra të Kolombit gjenden jashtë Shqipërisë. Vendi më i mundshëm është Italia, ku studioi dhe punoi, por arkivi i Galerisë Kombëtare nuk e dëshmon këtë.

Pjesa më e madhe e krijimtarisë ruhet në koleksionin e veprave të GKA-së. Janë 32 vepra të tij në teknikën e vajit mbi pëlhurë, vaj mbi kompensatë dhe kryesisht vizatime me laps mbi letër. Katër vepra ruhen në Galerinë e Artit në Shkodër edhe pse regjistrimet në dokumentacionin tonë figurojnë gjashtë. Pak vepra ruajnë familjarët dhe një numër po kështu i pakët ruhet në koleksione private. Ky dokumentim i sasisë na njeh me faktin, se prej tij nuk ruhen shumë vepra arti.

Falë projektit dhjetëvjeçar "Pikëtakim në Memorje", të Ylli Drishtit dhe Suzana Varvarica Kukës, që po riaktivizohet në programet e sektorit të studimit dhe të kërkimit të GKA-së, po përkujtohet 100 -vjetori i lindjes së Zef Kolombit. Është Ibrahim Kodra që përkujtohet me rastin e 1-vjetorit të vdekjes, aktivitet që bëhet nga GKA në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor "Ibrahim Kodra", me përfaqësi në Itali dhe Shqipëri, si dhe Lin Delija, veprën "Gjergj Fishta" të të cilit Shoqata Kulturore "Lin Delija" me qendër në Itali ia dhuron në muajin prill Shkodrës.

Të dhëna

Hil Mosi admironte talentin e Zef Kolombit.

Vera dhe Zefi u rritën si dy fëmijë jetimë.

Sotir Shkreli u bë nun i tyre dhe i rriti e u kujdes për ta.

Zefi u martua dy herë, me Lirinë, dhe pas vdekjes së saj, me Toninën.

Punoi në Normalen e Elbasanit.

Shkroi një libërth me titull "Perspektiva vijëmore e projektueshme".

Jetoi disa kohë në Durrës.

U kthye në Shkodër në vitin 1941.

Vdiq më 23 janar 1949 i sëmurë rëndë nga pneumonia dhe temperatura e lartë, në Shkodër.

Janë bërë disa ekspozita të tij retrospektivë ku janë ekspozuar rreth 42 punime.

Kujtim Buza ka shkruar një monografi, të titulluar "Zef Kolombi".

Vepra e parë e datuar e Zef Kolombit është "Skënderbeu në luftë me persët" 1927.

Vepra e fundit është "Masakrat" 1948.
 

 

Opera Mrika

opera_mrika2.jpg

L A J M E R I M E KULTURORE

EDUARD JUBANI live koncert
Me date 20 nentor 2008 ora 18:00 ne Teatrin "Migjeni". EDUARD JUBANI live koncert.
 

Koha Shkoder online

Shkoder, Albania
Temp: 10°C
Mes.: 10°C
Lag.: 95%
Shpejt.: 18 km/h
Drejtimi: 50°
Barom.: 1009.1 mb
NE
Vizitore: 1495991

Harta e klikimeve

Locations of visitors to this page