|
Nga gazeta SHEKULLI:Thethi, ringjallja e një fshati mes maleveAnila Dushi , 20-01-2007.Një reportazh të shkurtër për Thethin, na e sugjeruan vetë banorët e zonës. Është e vështirë në ditët e sotme të gjesh "lajme të mira", por Thethi dhe banorët e tij i meritojnë ca rreshta. Ata duan të jetojnë e të punojnë aty mes maleve, duke u servirur të ardhurve një pasuri, që në të vërtetë nuk e blen dot me lekë: ajrin e pastër dhe natyrën e virgjër. Thethi është sot, një histori përpjekjeje për të ringjallur jetën mes maleve.Banorët e Thethit e kanë njohur turizmin shumë herët, kur qytetarë të Shkodrës apo dhe ndonjë qyteti tjetër, kalonin në verë periudha qëndrimi në shtëpitë e malësorëve. Thethi ka një sipërfaqe prej 2630 ha dhe statusin e zonës së mbrojtur, Park Kombëtar i kategorisë së dytë që në vitin 1966. Në fillim të viteve '70-të u ndërtua dhe Kampi i Pushimeve. Ndërsa, pas viteve '90-të, u duk se gjithçka po shkonte në drejtim të kundërt. Ndonëse shkatërrimit nuk i shpëtoi as pasuria turistike e trashëguar, që përmblidhej në Kampin me disa ambiente, përsëri natyra e mrekullueshme ndikoi tek banorët vendas. Ata mundën ta shihnin këtë natyrë, si një mundësi për të siguruar të ardhura dhe për të mbijetuar, në një sistem tashmë tjetër. Dhe pse emigracioni solli një largim të ndjeshëm të popullsisë nga zona e Thethit, përsëri sytë e emigrantëve brenda e jashtë vendit, u kthyen drejt vendlindjes së tyre. Dalëngadalë, me kalimin e viteve, për vendasit u bë e qartë se një burim i rëndësishëm për të siguruara të ardhura atje, mes malesh, është turizmi. Kështu ato filluan të hapnin dyert për ato turistë, ndonëse jo të shumtë, që sidomos në stinën e verës udhëtonin drejt vendit me emrin e njohur, Theth.
Infrastruktura e rrënuar, rruga tepër e vështirë për qarkullim (akoma vazhdon të jetë e tillë), mungesa e telefonisë, sinjaleve televizive, energjisë elektrike, ndikuan në frenimin deri-diku të iniciativës së banorëve, për investime në turizëm. Por pasuria natyrore e papërsëritshme e këtij vendi, fitoi edhe mbi këto mangësi që i vuan sot e gjithë Shqipëria, e Veriu në veçanti.Mes dilemës së ikjes apo qëndrimit në Theth, për disa prej familjeve fitoi kjo e dyta. Sipas Kryeplakut të këtij fshati, Prekë Harusha, në kushtet e një jete të vështirë me mungesë toke, pune e prodhimi, me ndonjë ndihmë nga emigracioni, disa prej banorëve kanë filluar të restaurojnë banesat e tyre. I përshtatin për vizitorët, që vijnë duke u shtuar. Kështu, vetëm vitin e kaluar, në stinën e verës ka pasur rreth 2800 të tillë. Këta janë alpinistë, eksplorues, të apasionuar pas shëtitjeve në natyrë ,apo thjesht persona që preferojnë të kalojnë disa ditë pushime në ajër të pastër. Kryeplaku Harusha është optimist: "Numri i vizitorëve po rritet. Bashkë me këtë rritje, shtohet dhe domosdoshmëria e ndërhyrjeve më të plota e të studiuara mirë, në drejtim të restaurimit të ambienteve, përshtatjes e pajisjes së tyre me mjetet e nevojshme, për t'iu afruar pushuesve kushte sa më normale. Dhe kur dëshira për punë nuk mungon, fondet gjenden. "GTZ", për 7 familje të Thethit, ka dhënë një ndihmë financiare prej 2000 euro për familje, me kushtin që të përdoren për blerje pajisjesh hotelerie, si hidro-sanitare, mobilim dhomash, shtretër etj. Banorët që kanë marrë këto fonde, i kanë kthyer banesat në pensione të vogla, mini-hotele, shtëpi pushimi ku afrohen shërbime, si fjetja dhe ushqimi. Gjatë vitit 2007, 5 familje të tjera do marrin të njëjtën ndihmë.Për 2000 lekë nata, ku përfshihet dreka e darka, tashmë mund të pushohet në kushte të pranueshme. Ka edhe më lirë se kaq, gjithsesi e rëndësishme është që ndryshimi ka ndikuar pozitivisht në gjallërimin e zonës. Banorë të tjerë të Thethit, apo dhe prej atyre që jetojnë në Shkodër, por kanë shtëpitë në Theth, kanë shfaqur interes që të investojnë e përshtatin banesat e tyre për turistë, duke shfrytëzuar stinën e verës. Për kryeplakun, Prekë Harusha, e rëndësishme është që njerëzit po e kuptojnë se edhe këtu mes malesh, mund të jetohet e të sigurohen të ardhura. Ai na përcjell me një apel: "Është koha që shteti të bëjë të vetën, duke ndërhyrë për përmirësimin e infrastrukturës".
|