|
Përmes një ceremonie kushtuar një vjetorit të ndarjes nga jeta të trajneres së shquar Kudrete Kozmai, familjarëve të saj I është dorëzuar titulli “Mirënjohja e Qytetit”, akorduar nga Këshilli Bashkiak I Shkodrës.Dje, është mbushur plot një vitë që ish notarja kampione dhe rekordmene e vendit tonë, dhe më pas trajneria e dalluar, por edhe drejtuesja e aftë Kudrete Kozmai është ndarë nga jeta. Vetëm 52 vjetë arriti të jetojë ajo, sepse një sëmundje e rëndë nuk e la të vazhdonte më tej, por ajo la pas kujtime të pashlyeshme të jetës sportive, dhe në mënyrë të veçantë ato rrezultate pozitive të shënuara në garat kombëtare dhe ndërkombëtare të notit, sidomos ato të punës së përbashkët me notaren e talentuar Rovena Marku. Ndaj, në respekt të kësaj figure kaq të dalluar, jo vetëm të Shkodrës, por edhe në shkallë kombëtare, Klubi Vllaznia në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Notit organizuan një takim përkujtimor, pjesëmarrës të së cilës kanë qënë, jo vetëm ato të fushës së sportit, por edhe përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe të shoqatave të ndryshme jo qeveritare, në të cilat ajo, krahas fushës së sportit dha një kontribut mjaft të madh.
Takimin e ka hapur Drejtori I Klubit Vllaznia Gëzim Mema, I cili ka folur në përgjithësi për jetën dhe vlerat në vite të kësaj figureje sportive. Më pas, për vlerat e Kudrete Kozmait ka folur Sekretarja e Federatës Shqiptare të Notit Hyrmete Gjetja dhe Presidenti I kësaj federates Ahmet Meça. Me interes është ndjekur edhe fjala e mbajtur nga ana e shkrimtarit të njohur Fadil Kraja, kryetares së Shoqates “Gruaja Intelektuale Shkodrane” Zenepe Dibra, ndërkohë që, në mënyrë të veçantë emocionuese kanë qënë fjalët e Rovena Markut, notares kampione dhe rekordmene të vendit tonë, e cila ka ndjerë nga afër dorën e ngrohtë, jo vetëm profesionale të Kudretit si trajnere e saj, por edhe prindërore, mbasi së bashkë ato janë stervitur prej vitesh dhe kanë marrë pjesë në gara të shumta kombëtare, dhe sidomos ndërkombëtare, deri në kampionate europiane, botërore dhe Lojëra Olimpike. “Kemi shkuar aq mirë njëra me tjetrën, tha notarja Marku, sa I patëm thënë njëra tjetrës se nuk do të ndahemi asnjëherë njëra me tjetrën në rrugën e bukur dhe të vështirë të sportit të notit për të arritur majat e larta cilësore, por ajo nuk e mbajti fjalën dhe iku shumë përpara kohe nga kjo jetë duke më lënë vetëm”. E pastaj, përmes lotëve të shumtë që nuk iu ndanë asnjëherë, ajo foli me respektin më të madh për gjithë atë që trajnerja e saj kishte përgatitjen e saj si notare duke e stervitur që në një moshë fare të vogël. Ndërkohë, sekretarja e FSHN Hyrmete Gjetja, do të cilësonte se Kudreti ishte e para pjesëtare e sportit të notit që do të merrte pjesë në Lojrat Olimpike të ATHINA 2004, së bashku me notaren që sterviste Rovena Marku, garë e cila vinte menjëherë pas suksesit të Kampionatit Botëror të Notit zhvilluar një vitë më parë në Barcelonë të Spanjës. Dhe, ndër të tjera, portretin më të plotë Kudrete Kozmait, ia ka bërë shkrimtari I njohur shkodran Fadil Kraja, I cili, vlerave të padiskutueshme të fushës së sportit, I ka shtuar edhe ato që ajo dispononte në fushën e letërsisë si një poete e talentuar, për të vijuar me vlerat e një piktoreje po kaq të talentuar, por edhe si një muzikante e kësaj kategorie, e në mënyrë të veçantë si stiliste tepër e afirmuar, pjesëmarrëse dinjitoze e spektakleve më në zë të vendit tonë, duke I shtuar këtu edhe vlerat e larta të saj në shembullin e padiskutueshëm që ka dhënë në emancimin e gruas shkodrane duke qënë kurdoherë në pararojë të aktiviteteve kulturore, artistike e sportive. Me duartrokitje të shumta është pritur momenti kur Kryetari I Bashkisë së Shkodrës Artan Haxhi, I ka dorëzuar familjarëve të Kudretit titullin “Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës”, akorduar nga ana e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, motivacioni I së cilës ishte “Për kontributin e saj të çmuar në përparimin e sportit të notit, rekordmene shumëvjeçare dhe trajnere e ekipit kombëtar”. Par marrjes së titullit, në emër të familjes, vëllai I trajneres, Osman KOzmai, ka falenderuar pjesëmarrësit e këtij takimi, dhe në mënyrë të veçantë Këshillin Bashkiak të Shkodrës për vlerësimin që I kanë bërë motrës së tyre. Ndërkohë, titulli më I fundit I dorëzuar nga kryebashkiaku Haxhi, I është bashkuar titujve të tjerë, të cilët ishin ekspozuar në sallë përkrah fotografisë së Kudretit, siç ishte “Urdhëri Olimpik” i akorduar nga ana e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, “Detikim”, I dhënë nga ana e Konferencës së Dytë Kombëtare “Femra dhe Sporti”, si dhe titulli “Plok Nika” në sport, akorduar nga ana e Klubit Vllaznia në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër. Takimi, më pas ka vijuar me kujtime të ndryshme të ofruara në sallë nga ana e notarëve shkodrane dhe atyre të ardhur nga Tirana dhe rrethet e tjerë të vendit, trajnerë e veteranë të sportit, të cilët kanë ngritur lart figurën sportive, por edhe më tej të Kudrete Kozmait. Takimi përkujtimor, kushtuar një vjetorit të ndarjes nga jeta të Kudrete Kozmait është mbyllur me një drejtë të shtruar nga familja “Kozmai” në restorant “Mondial” të qytetit të Shkodrës.
GASPER MARKU
Foto: Nga zhvillimi I ceremonisë dhe dorëzimit të titullit “Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës” për Kudrete Kozmain, në një vjetorin e ndarjes nga jeta
|