|
Kudrete Kozmai, emri që nuk harrohet kurrë |
|
|
Saturday, 20 January 2007 |
|
Eshtë mbushur plot një vit që Kudrete Kozmai nuk jeton më. Mungesën e saj mbi të gjitha e ndjen noti shkodran dhe ai shqiptar, pa lënë mënjanë familjen, shoqërinë dhe gjithë ambjentin me të cilin ky personalitet i sportit ka jetuar dhe punuar. Kudretja është ndarë herët nga jeta, pikërisht në moshën 52 vjeçare pas një sëmundje të pashërueshme megjithatë kontributi i tij në sport do mbetet i paharrueshëm. Kampione dhe rekordmene në sportin e notit, më pas trajnere e Vllaznisë dhe e ekipit tonë kombëtar. Është njeriu që bashkë me sportisten e saj Rovena Marku përfaqësoi sportin e notit për herë të parë edhe në Olimpiada. Për të gjitha këto, Këshilli Bashkiak Shkodër në mbledhjen e tij të fundit i akordoi Kudrete Kozmait titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës”. Për këtë arsye dje në njëvjetorin e vdekjes së saj, është zhvilluar një ceremoni e veçantë nga ana e familjes dhe Sportklub Vllaznisë. Në këtë ceremoni ishte kryebashkiaku Artan Haxhi ai që i dha familjarëve të Kudretit titullin e lartë të akorduar. Më pas kanë përshëndetur edhe drejtori i klubit Vllaznisë Gëzim Mema, sekretarja e Federatës Shqiptare të Notit Hyrmete Gjeta, kolegë e sportistë të kësaj figure të shquar të sportit të notit. Më të veçantat kanë qenë fjalët e ish-sportistes së saj kampiones dhe rekordmenes së notit Rovena Marku e cila është rritur në duart e kësaj trajnereje të paharruar. “jam rritur në duart e mësuese Kudretit. Ajo përkujdesej si nënë për mua dhe kjo gjë pat rënë në sy edhe të pjesmarrësve të tjerë në Olimpiadën ku ishim edhe ne. aq sa ata më pyesnin nëse vërtet trajneren e kisha edhe nënë dhe unë i thosha “po”. Nëse unë sot jam dikushin në sport, e kam prej këtij njeriu që asnjëherë nuk do harrohet nga mendja ime. Ne të dyja i kishin premtuar njëra-tjetrës se do ishim sëbashku deri në vdekje, por mësuese Kudretja se mbajti premtimin, iku para kohe. Por unë çdo sukses, çdo titull kampion apo rekord do t’ia kushtoj asaj dhe vetëm asaj sepse ka qenë dhe do mbetet një nga njerëzit më të dashur të jetës sime”-ka thënë notarja e njohur pëmes lotësh që nuk pushonin asnjëherë e një situatë e tillë ka prekur të gjithë të pranishmit në ceremoninë e djeshme. Një gjest që tregon se Kudrete Kozmai do të vazhdojë të jetojë për vite të tjera në mendjen e njerëzve.Gjergj KOLA
|