|
Atletikė, Vllaznisė i ikin katėr atletė kampionė |
|
|
Wednesday, 17 January 2007 |
|
Në vite ka qenë një nga klubet që ka bërë "ligjin" në atletikën shqiptare, por duket se kohët e arta të Vllaznisë nuk do të vijnë më për momentin. Sidomos me meshkujt këto vitet e fundit, shkodranët jo vetëm që dilnin kampionë të Shqipërisë, por edhe mbushnin ekipet e tjera me atletët e tyre. Kështu do të ndodhë edhe sivjet, por gjërat kanë ndryshuar disi Nga ekipi këto ditë janë larguar plot 4 kampionë e kësisoj shanset që ky ekip të jetë kampion i vendit për këtë vit janë zvogëluar shumë. Bëhet fjalë për të njohurit Admir Bregu, Gledi Gojashi e Bledar Mesi, kampionë të padiskutueshëm në garat e tyre, si dhe të riun me perspektivë Edmond Bala. Dy të parët, pra Bregu e Gojashi, prej disa muajsh ishin zhvendosur në Tiranë, duke u stërvitur në pistën me tartan të "Qemal Stafës". Flitej për divorc me ekipin e qytetit të tyre, por kjo është bërë realitet vetëm ditët e fundit me rihapjen e merkatos edhe tek "mbretëresha e sporteve". Ata kanë kaluar tashmë te klubi "Tirana" dhe të paktën për një vit do të mbajnë të veshur fanellën bardheblu. Admir Bregu është nga sportistët më të mirë të vendit, kampion i padiskutueshëm prej vitesh në garën e kërcimit së gjati, ndërkohë që kolegu i tij është kampion në garën e trehapëshit. Po ashtu, nga Vllaznia janë larguar edhe dy atletët e garave të thellësisë, Bledar Mesi dhe Edmond Bala. Vazhdimi i studimeve të larta apo dhe angazhime të tjera në jetën e tyre private, i kanë detyruar ata të braktisin Shkodrën për Tiranën. Por në ndryshim nga dy sportistët e tjerë Gojashi dhe Bregu, këta të fundit nuk kanë shkuar te Tirana, por kanë firmosur me klubin "Studenti". Largimi i këtyre 4 sportistëve ka sjellë një zhgënjim jashtëzakonisht të madh te drejtuesit e klubit shkodran, që kanë qenë të pafuqishëm për t'i mbajtur në Shkodër. Në këtë mënyrë, për atletikën shkodrane ditë të vështira po vijnë, por kjo vetëm sa u takon pretendimeve për t'u shpallur kampionë i vendit Kjo sepse janë shumë të rinj të talentuar që stërviten plot pasion çdo ditë nën drejtimin e trajnerëve Mema, Tufi, Bala, Marashi e Xhani, por ata duan kohë për të qenë kampionë me të rriturit.
|