|
Zef Gjoni: Kampionati i parregullt |
|
|
Wednesday, 11 October 2006 |
|
-Boks/-Zef Gjoni: Kampionati i parregullt, do bëjmë një tjetër/Problemet për boksin shqiptar nuk kanë të sosur. Pas mbarimit të kampionatit kombëtar të të rriturve zhvilluar ditët e fundit në Tiranë, një tjetër pritet të zhvillohet pas disa kohësh. Arsyeja kuptohet është e qartë: Kampionati që përfundoi dy ditë më parë nuk i përmbushi rregullat e zhvillimit të tij për më tepër që jashtë tij qëndruan boksierët dhe ekipet më të mira të Shqipërisë. Të paktën kështu pretendon pala që nuk denjoi të merrte pjesë në kampioantin e organizuar nga “Federata e paligjshme”. Sipas Zef Gjonit, trajnerit të Vllaznisë dhe ekipit tonë kombëtar kampionati në fjalë nuk vlen fare dhe si rrjedhojë do ketë një kampionat tjetër. “Kampionati i zhvilluar ka qenë plotësisht i dështuar nuk ka sesi të quhet i rregullt nisur edhe nga fakti se duhej pritur zgjidhja që do jepte Ministria për problemet që ka boksi. Por edhe meqë u zhvillua ai nuk ka sesi të quhet i rregullt duke parë pjesmarrjen e ekipeve dhe boksierëve. Munguan Vllaznia, Flamurtari, Apolonia, Tomori, Enea e Rozafa që i japin tonin këtij sporti dhe morën pjesë ekipe si Lushnja, Kukësi apo Kristi që janë më tepër enigmë sesa pjesmarrës. Në këtë kampionat një pjesë dërmuese e ndeshjeve janë mbyllur pa filluar mirë për mosparaqitje të boksierëve në ring apo tërheqje të tyre pa filluar ndeshja. Si i tillë ky kampionat nuk mund të quhet i rregullt se do presidenti Lamaj që e ka çuar boksin në këtë pikë”-thotë për “Sporti Shqiptar” trajneri Gjoni.
Megjithatë kampionati është arkivuar dhe Tirana është shpallur kampione e vendit duke thyer kështu hegjemoninë e Vllaznisë që ishte absolute në gjithë këta vite. Trajneri i ekipit shkodran gjithsesi ka shumë rezerva edhe për nivelin e paraqitur nga kampionët e shpallur. “Megjithë respektin për boksierët e Flamurtarit dhe Apolonisë, po ju them vetëm kaq: Po të ishin mbledhur boksierët më të mirë të atyre 8 ekipeve që thonë se kanë marrë pjesë në kampionat dhe të ishin ndeshur me Vllazninë, vetëm në një peshë mund të ishin shpallur ato kampionë. Llogarite pastaj çfarë niveli ka pasur ky kampionat. Atëherë kujt i vlejti ai kampionat?”-shton njëri nga kundërshtarët e Federatës aktuale. Nga ana tjetër meqenëse ekziston edhe një Federatë tjetër me klube pjestare të saj, gjyqtarë, sekretar e president më vete, gjasat kanë qenë që ky grupim i dytë i boksit shqiptar të zhvillonte edhe ai një kampionat më vehte. Por nuk do të ndodh kështu sepse në rradhë të parë pritet zhvillimi i një Asambleje të Jashtëzakonshme e pastaj një kampionat tjetër që mendohet të jetë “i vërteti”. Këtë e pohon Zef Gjoni kur për gazetën tonë dje do të shprehej: “I kemi mundësitë të zhvillojmë një kampionat tjetër ne ekipet që nuk morëm pjesë në këtë aktivitet. Mund të kishim mbledhur edhe më tepër boksierë se ata të tjerët e po ashtu edhe do ishte një kampionat me rivalitet dhe shumë i fortë. Por për të mos shkuar deri këtu ne presim që Ministria të organizojë Asamblenë e jashtëzakonshme të boksit nën kujdesin e saj dhe më pas të zhvillohet kampionati i vërtetë ku të marrin pjesë të gjithë ekipet. Nga sa na është thënë kjo gjë do organizohet shumë shpejt dhe ne jemi të gatshëm për të vepruar në këtë mënyrë”.Gjergj KOLA
|