|
Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, i cili zhvillohet në qytetin e Shkodrës, ka mbërritur në edicionin e tij të 44-t. Ky festival nisi mbrëmjen e së hënës, ndërsa mbrëmë u zhvillua nata e dytë e tij. Skenaristja dhe njëkohësisht dhe bashkëprezantuesja e këtij festivali është Manjola Lloja (Bushati). Në natën e parë të këtij festivali u prezantuan 13 këngët e para konkurruese, ndërsa 13 të tjera u prezantuan mbrëmë.E reja e këtij festivali, në krahasim me edicionet e tjera, është fakti se pjesëmarrësit janë në një moshë më të vogël nga konkurruesit e mëparshëm, ndërsa interpretimi i tyre është i drejtpërdrejtë. Mes 110 këngëve të paraqitura për këtë eveniment u përzgjodhën vetëm 26 krijime që u kënduan për herë të parë në këtë festival, që tradicionalisht zhvillohet në Shkodër. Në sallën e teatrit “Migjeni” ngjiten rreth 200 fëmijë, jo vetëm këngëtarë, por dhe valltarë, grupi i korit etj. Në natën e tretë, e cila pritet të jetë sonte, do të shfaqen edhe një herë të 26 këngët pa përjashtim, ndërsa në fund do të ndahen dhe çmimet përkatëse. Ajo çka vjen përsëri e njëjtë në këtë edicion është kualifikimi i këngëve. Është menduar që këngët të prezantohen pa përjashtim të gjitha në natën finale, duke e bërë më të lehtë humbjen e tyre. Fëmijët vijnë nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Korça, Gjirokastra, Vlora, Gostivari, Prishtina, Gjilani, Gjakova, ndërsa kompozitorët e poetët pjesëmarrës janë pothuajse të gjithë emrat më të njohur të muzikës shqiptare si Alfred Kaçinari, Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali, Jorgo Papingji, Agim Doçi etj. Kliko ketu per te vizituar nje fotoreportazh te bere nga infoshkodra.com. Kliko ketu.
|