|
Monday, 05 June 2006 |
|
Volejbollistët e rinj të Vllaznisë janë shpallur dje kampionë për të katërtin vit rradhazi duke treguar edhe njëherë tjetër se për këtë grupmoshë ata janë ta pathyeshëm në Shqipëri. në finale, ata kanë arritur të mundin ekipin e Ilirisë së Fushë-Krujës me rezultatin e pastër 3-0. ndërkohë që për vendet 3-4, Teuta ka mundur ekipin e Studentit 3-2 duke siguruar vendin e tretë. Finalet e paly-offit të të rinjve edhe këtë vit janë zhvilluar në qytetin e Shkodrës. Sivjet të drejtën për të diskutuar titullin kampion e kanë fituar Vllaznia, Iliria, Studenti dhe Teuta. Të shtunën janë zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale ku takimi i parë ka qenë ai mes Studentit dhe Ilirisë. Fitorja e fushë-krujasve me rezultatin e pastër 3-0 ka qenë ndoshta surpriza më e bukur e play-offit. Në ndeshjen tjetër vendasit e Vllaznisë kanë fituar me të njëjtin rezultat me Teutën duke siguruar kështu të drejtën e diskutimit të finales. Ndërkohë dje paradite është luajtur fillimisht ndeshja për vendet 3-4 ku siç thamë fitues doli ekipi i Teutës.
Finalja është ndjekur nga një numër i madh shikuesish që kishin mbyllur pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Kanë asistuar në këtë ndeshje edhe presidenti i FSHV-së Gjergj Leqejza si dhe kryetari i Bashkisë Shkodër Artan Haxhi. Ndeshja është dominuar në të gjithë drejtimet nga shkodranët të cilët i fituan të tre setet pikërisht në shifrat 25-14, 25-21, 25-19. pika e fundit e ndeshjes është shoqëruar edhe me hapjen e shisheve të shampanjës, me fishekzjarre të shumta çka kanë bërë që në pallatin e sportit të krijohet një atmosferë shumë entuziaste. Si lojtari më i mirë i kampionatit është vlerësuar kapiteni i Vllaznisë Nikolin Qafarena po ashtu ka pasur çmime edhe për shuterin më të mirë, pasuesin më të mirë si dhe lojtarin e ri më të mirë. Në fund kryetari i Bashkisë Shkodër i ka dhuruar kupën e titullit kampion, kapitenit të ekipit shkodran Qafarena. Një sukses i bukur ky për këtë ekip e veçanërisht për trajnerin Artan Kalaja që vazhdon të spikasë me punën e tij të palodhur për ngritjen e sportit të voljebollit në Shkodër edhe njëherë tjetër në majat më të larta. Në suksesin e djeshëm padyshim që spikasin emrat e sportistëve të këtij ekipi duke filluar me kapitenin Qafarena e për të vazhduar me Juknin, Prelën, Krajën, Rrashketën, Marashajn, Halilin, Drinazin dhe Sokolin.Gjergj KOLA 
|