|
Shkodra, krenohet me kampionin e saj tė Botės |
|
|
Thursday, 01 June 2006 |
|
Atmosfera në qytetin e Shkodrës ka qenë vërtet entuziaste pas mësimit të lajmit se biri i këtij qyteti ishte shpallur kampion Bote. Lajmi i mbërritur pasditen e së martës ka qarkulluar shumë shpejt nëpër të gjithë ambjnetet e këtij qyteti, në lokale, shtëpi e kudo tjetër. të gjithë krenoheshin me Erkand Qerimajn, djalin 18 vjeçar të Shkodrës që arriti suksesin më të madh në historinë e sportit shqiptar. -Klubi dhe Bashkia, gati pritjen për kampionin.Në ambjentet e klubit Vllaznia dje ka pasur shumë gjallëri. Të gjithë drejtuesit por edhe punonjësit e tij janë ndjerë shumë të gëzuar me suksesin e sportistit të këtij klubi. Njëkohësisht ata kanë marrë edhe shumë mesazhe urimi nga të gjithë qytetarët. Ndërkohë instancat drejtuese të sportit në Bashki por kryesisht në klubin shumësportësh Vllaznia kanë filluar menjëherë përgatitjet për pritjen e “heroit” të tyre.
Kështu u pëlqente ta quanin Erkandin që në Botërorin e Kinës ka arritur një rezultat shumë të lartë sportiv. Për rrjedhojë Bashkia dhe klubi Vllaznia kanë menduar zhvillimin e një manifestimi shumë të bukur në qendër të qytetit me rastin e kthimit në qytetin e tij të kampionit të Botës. “Është një sukses shumë i madh për sportin shqiptar por edhe për klubin Vllaznia. Ky është suksesi më i madh që ka arritur një sportist shqiptar dhe për rrjedhojë në bashkëpunim edhe me Bashkinë Shkodër po marrim të gjitha masat për t’i bërë pritjen e duhur këtij kampioni të Botës. Kështu është menduar dhe planifkuar që pritja për Erkandin dhe trajnerin e tij Genc Barkiçi të bëhet ditën e shtunë në orën 10.00 të paradrekes në sheshin qendror të qytetit me anë të një manifestimi të madh ku shpresojmë të jenë të pranishëm të gjithë qytetarët shkodranë të cilët e kanë pritur më së miri këtë lajm”-ka thënë drejtori i klubit Vllaznia Gëzim Mema.
-Prindërit, tension dhe “zemra gati të plasë”
Emocionet më të mëdha natyrisht që i kanë patur dy prindërit e Erkandit, babai Mehdija dhe nëna Fatbardha. Në veçanti i ati ka qenë në tension të madh në momentet kur djali i tij po konkurronte në Botërorin e Kinës. Kontaktet telefonike me presidentin e Federatës Esat Ademi kanë qenë të shpeshta, çdo 10 minuta gjatë garës së Erkandit. “Kam qenë në tension të madh. Nuk më zinte vendi. Hyja në shtëpi, dilja jashtë por nuk kisha reahti askund. Jam lidhur disa herë në telefon me presidenti Ademi dhe kam qenë gjithnjë në korent të konkurimit të djalit. Kur kam marrë vesh suksesin, sa nuk më ka lënë zemra. Ka qenë gëzimi më i madh i jetës sime. Në të vërtetë unë e kam pritur këtë rezultat. E kam ndjekur më stërvitje dhe kisha besim se do të hynte në zonën e medaljeve. Por të them të drejtën nuk ia kisha besën kinezëve. Botërori zhvillohej në vendin e tyre dhe nuk kishim shumë dijeni se çfarë sportistësh do merrnin pjesë. Megjithatë ankthi mori fund tashmë dhe duhet t’i gëzohemi këtij suksesi”-ka thënë Medi Qerimaj. Të njëjtat emocione ka provuar edhe Bardha, bashkëshotja e tij e cila me trup ishte në Shkodër por me mendje në Kinë. Me të marrë vesh lajmin, telefonatat në adresë të familjes Qerimaj kanë qenë të shumta. “më kanë mbaruar tre bateri telefoni nga telefonatat e shumta që kam pasur. Sot ndërkohë e kam ndjerë veten më i qetë, jo si babai i kampionit të botës por si shkodran. Jam ndjerë krenar që djali im bëri diçka të mirë për këtë qytet dhe këtë e justifikojnë urimet e shumta që kam marrë”-thotë në përfndim babai i Erkandit.
Gjergj KOLA
|