|
Atletike: Dita e kercimeve |
|
|
Wednesday, 17 May 2006 |
|
Do të zhvillohet nesër në Shkodër aktiviteti i emërtuar “Dita e kërcimeve”. Aktivitet ky që po bëhet tashmë i përvitshëm dhe që ka hyrë në kalendarin zyrtar vjetor të Federatës Shqiptare të Atletikës. Në ditën e kërcimeve do të marrin pjesë sportistët më të mirë të vendit sa i takon disiplinave të kërcimit së gjati dhe atij trehapësh. Këto do të jenë të vetmet gara ku do garojnë sportistët pjesmarrës. Edicioni i sivjetëm ndërkohë po pritet me mjaft interes në Shkodër, kjo pasi do tentohet që në këto gara të thyhet rekordi disavjeçar i Gjergj Rulit në kërcimin së gjati. Atleti i njohur shkodran Admir Bregu ditët e fundit ka qenë fare pranë këtij rekordi teksa në një miting ndërkombëtar të zhvilluar në Tivar të Malit të Zi, ka kërcyer në distancën 7.62 metra.
Ky ka qenë edhe një rekord personal për vetë atë ngaqë shifrat më të mira që kishte arritur deri tani, kanë qenë ato të vjetshmet me 7.58 m. besimi tek thyerja e këtij rekordi disavjeçar të atletikës shqiptare ekziston edhe tek trajneri i Bregut i mirënjohuri Vildan Tufi. Ai ka vijuar punën sistematike me sportistin e tij dhe ja ku janë. Vetëm 8 centimetra larg rekordit të Rulit dhe duke parë formën e mirë që po kalon atleti i Vllaznisë, gjasat janë që kjo ëndërr e tij të bëhet realitet. Përveç Bregut sot pritet me interes edhe kërcimi i atletit tjetër shkodran Gledi Gojashi, i cili edhe ky në turneun e Tivarit, realizoi një kërcim shumë të mirë në distancën 7.40 m. Në këtë mënyrë garat e neserme me shumë mundësi do jenë interesante. Klubi Vllaznia i ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti ndërkohë që interes për këto gara, duket se do ketë edhe nga sportdashësit shkodranë.Gjergj KOLA
|