|
Plumbini: Ada mė shumė shanse se kurrė |
|
|
Monday, 01 May 2006 |
|
Fitorja e fundit ndaj Tepelenës natyrisht që e ka rritur së tepërmi entuziasmin në kampin velipojak. Pas shumë e shumë javësh, Ada nuk është më e parafundit në renditje dhe si rrjedhojë shanset për mbijetesë janë shtuar. Skuadra po kalon një moment të mirë dhe këtë e tregon fakti që në 3 ndeshjet e fundit, ajo ka grumbulluar 7 pikë. Duke folur në lidhje me këtë ecuri, trajneri i skuadrës Viktor Plumbini flet me nota pozitive për të teksa thotë: “Jemi duke ecur në rrugë të mbarë. Fitorja me Tepelenën natyrisht që e ka rritur entuziasmin në skuadër megjtihëse ajo duhej të kishte qenë në shifra më të thella sepse kemi humbur disa raste të pastra. E rëndësishme është që morëm tre pikët dhe tashmë shanset për të qëndruar në kategorinë e parë janë më të mëdha se kurrë”. Ekipi ka rritje në lojën e tij nga java në javë dhe ajo çfarë duket qartë, është mobilizimi maksimal i të gjithë njerëzve që janë të lidhur me Adën, me qëllim shpëtimin e saj nga rënia prej kategorisë. Duke filluar nga futbollistët që edhe po sakrifikojnë, për të vazhduar me drejtuesit si dhe donatorët që po i qëndrojnë më afër se kurrë skuadrës në këto momente. Ajo çfarë ka shumë rëndësi tani në ecurinë e Adës natyrisht që është ndeshja e kësaj jave në Berat me Tomorin vendas. Ky i fundit thuajse është shpërfytyruar krejtësisht në këto javët e fundit megjithatë velipojakët e konsiderojnë si shumë të rëndësishme dhe janë duke u përgatitur ashtu siç duhet për këtë takim. “Ndeshja me Tomorin është shumë e rëndësishme për ne dhe kësisoj shpresoj shumë që skuadra të luajë kështu siç është duke luajtur në këto ndeshjet e fundit. Një fitore në këtë takim, do na shërbente shumë për qëndrimin në kategori”-ka thënë në fund trajneri i Adës Viktor Plumbini.
Gjergj KOLA
|