Shko tek permbajtja
Strumentet
Narrow screen resolution Wide screen resolution Auto adjust screen size Increase font size Decrease font size Default font size default color blue color green color
Ju jeni ketu: Home arrow Creative City arrow Aktivitetet e vitit 2006 (Second Year) arrow Intelektualėt vetėrrėfen: Kjo klimė ėshtė pa shpresė
Intelektualėt vetėrrėfen: Kjo klimė ėshtė pa shpresė E-mail
Tuesday, 25 April 2006

Anila Dushi

Shkodër-Njerëz të letrave, krijues dhe studjues shkodranë u mblodhën si rrallëherë për dialog mbi çështjet e librit e letërsisë bashkëkohore në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër, në kuadër të aktiviteteve Ditët e Librit. Kësaj tryeze i parapriu ekspozita e shtëpive e enteve botuese që kanë aktivitetin e tyre në këtë qytet. Mbi 400 tituj të ekspozuar në vitrinat e bibliotekës ku më pas u zhvillua dhe tryeza, në formë bashkëbisedimi dhe ku drejtuesit u përpoqën të evitonin debatet. Shkrimtari Skënder Drini rimori edhe njëherë temën e shumëlakuar, mungesën e kritikës në letërsi e art, duke përmendur faktin që kur flitet për një libër, vendin e zënë lëvdatat dhe euforia, çka kanë zëvendësuar kritikën reale letrare. Këto Drini i ka quajtur shkurt kritika e fishekzjarreve e cila bën që antivlerave t’u hapet rruga. Historiani Mentor Quku e ka zhvendosur vëmendjen në një tjetër mungesë, ajo e lëvizjes mendore e cila do të ndikonte në krijimin e një atmosfere ku të debatohet dhe të mos heshtet për çështjet e kulturës, historisë nga njerëzit e mendjes, shkencës, artit, krijimtarisë. Kjo në Shkodër nuk ndodh më. “Ne kemi mendimtarë por jo lëvizje mendore, kemi art por jo kritikë. Krijimi është punë, është mund por ai harrohet. Ka vepra me vlerë që flenë pa u botuar, fjala vjen fjalori i Kolë Ashtës”. Historiani shtroi dhe problemin e mosblerjes së librit në Shkodër. Për të ky është tregues i mungesës së një vetëdijeje kulturore, një mjedisi letrar, përhirja e një klime dekurajuese për krijuesit. Dhe për të dalë nga kjo gjendje në këtë tryezë u propozua krijimi i një forumi intelektual. Pjesëmarrësit në takim trajtuan çështje që lidhen me rolin e shtëpive botuese në tregun e librit duke kërkuar të dilet nga gjendja jo e kënaqshme. Sipas Aleks Dushit, intelektual, përgjegjësi nuk ka botuesi për librin që botohet por ai që jep mendime që shkruan parathënien dhe e ngre në qiell një libër pa vlerë, duke mashtruar kështu lexuesin blerës që ndihet i zhgënjyer kur ka përfunduar së lexuari këtë libër. Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shkodrës ka detyra për të përmbushur, vlerat nuk duhet të humbasin, por të stimulohen, qyteti është i mpleksur me provincializëm dhe ka mungesë strategjie bashkëveprimi sidomos me institucionet e fjetura shtetërore e kulturore. Dritë në fund të tunelit për intelektualët shkodranë në ditën botërore të librit, nuk duket. Shkrimtari Blendi Kraja pas kësaj panorame ngriti problemin e së drejtës së autorit që nuk merret parasysh duke e ilustruar me shembullin e deformimit të veprës së Gjergj Fishtës nga shtëpia botuese e Lezhës, apo deformimet e Mjedës e autorëve të tjerë. Sipas tij, është fakt që këto deformime gjuhësore e letrare nuk denoncohen nga katedrat përkatëse të Universitetit të Shkodrës të cilat janë nivele akademike, por që ato vetë janë bërë pjesë e këtyre deformimeve. Ai e ka quajtur shumë të gjërë diskutimin në këtë tryezë dhe jo efikas pasi problemet që ngrihen kalohen tangent. Pedagogia e letërsisë në Universitetin e Shkodrës Ledri Kurti shkakun e të gjitha këtyre vuajtjeve e sheh tek mospranimi i mendimeve të njëri-tjetrit. Të tjerë të pranishëm në takim nuk e morën fjalën, ndërsa pati dhe prej atyre që folën, dhanë mendime por lanë pa trajtuar çështje që në diskutime jashtë tryezave si këto dhe kur nuk e kanë përballë tjetrin që mendon ndryshe, nuk trajtohen me këtë elokuencë dhe me këtë distancë zyrtare si në Ditën e Librit. Tryeza ishte më shumë evidentuese ku nuk u fol për ndonjë alternativë për gjetjen e rrugëve e mundësive për të ndryshuar diçka pozitivisht në drejtim të librit, frymës kritike. Duhet theksuar fakti se iniciatorë për t’i bërë bashkë një dorë njerëzish përballë njëri-tjetrit, për çështje që shqetësojnë një shumicë, nuk ishte bashkia e Shkodrës apo ndonjë institucion tjetër shtetëror, por një projekt si ai i “Qyteteve Krijuese”.

 

Opera Mrika

opera_mrika2.jpg

L A J M E R I M E KULTURORE

EDUARD JUBANI live koncert
Me date 20 nentor 2008 ora 18:00 ne Teatrin "Migjeni". EDUARD JUBANI live koncert.
 

Koha Shkoder online

Shkoder, Albania
Temp: 16°C
Mes.: 16°C
Lag.: 90%
Shpejt.: 43 km/h
Drejtimi: 250°
Barom.: 987.8 mb
WSW
Vizitore: 1423368

Harta e klikimeve

Locations of visitors to this page